Organizatat mjedisore kërkojnë që Ligji për Zonat e Mbrojtura të kthehet në Parlament

Tiranë, 5 mars 2024 – Një grup prej 42 organizatash mjedisore dhe 39 akademikë e ekspertë të fushës së mjedisit kërkuan një takim me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj lidhur me ndryshimet që Parlamenti shqiptar miratoi pak ditë më parë në Ligjin për Zonat e Mbrojtura.

“Qëllimi ynë për takimin me Presidentin, është ta kthejmë këtë ligj për një vështrim të dytë dhe të sigurojmë që Zonat tona të Mbrojtura të mbeten pikërisht të tilla; të mbrojtura”, thonë organizatat përmes një deklarate.

“Më 22 shkurt 2024, vijon deklarata e organizatave mjedisore, u miratua një ligj i ri që mund të ndryshojë përgjithmonë pamjen e peizazheve tona natyrore”, thonë ato.

Ky ligj, sipas organizatave, lejon ndërtimin e hoteleve dhe objekteve të tjera infrastrukturore pikërisht në zemër të Zonave të Mbrojtura.

Edhe Delegacioni i Bashkimit Euopian në Shqipëri ka këmbëngulur për nevojën e një konsultimi të gjerë për ndryshimet që u ndërmorën në Ligjin për Zonat e Mbrojtura.

“Miratimi i ligjeve mbi çështje që mbulohen nga legjislacioni i BE-së presupozon konsultim publik të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës, si dhe një proces të parashikueshëm dhe transparent”, u shpreh Delegacioni i Bashkimti Europian pas votimit të ndryshimeve në parlament.

Shqetësimi më i madh i organizatave mjedisore nga ndryshimet e reja të Ligjit të Zonave të Mbrojtura lidhet me lejimin e ngritjes së “strukturave akomoduese të ekselencës, 5 yje ose më shumë, në fushën e turizmit apo dhe të agroturizmit brenda Zonave të Mbrojtura si dhe me kompetencat që i jepen Këshillit Kombëtar të Territorit në përcaktimin e rregullave dhe kritereve për zhvillimin e këtyre zonave, ndonëse ky këshill është një strukturë kolegjiale dhe që nuk përfshin këshillimin publik në vendimarrjen e tij”

Në Janar të vitit 2022 qeveria shqiptare rishikoi kufijtë e Zonave të Mbrojtura natyrore në Shqipëri dhe në disa prej sipërfaqeve të hequra janë shfaqur pasojat e para negative.

Qeveria u vu në kritika të forta nga një misoni i UNESCO-ICOMOS për Butrintin, i cili shprehu shqetësimin e thellë për heqjen e 600 ha nga Parku Kombëtar i Butrintit.

Sipas misionit vendimi përfaqësonte një ndryshim në regjimin e mbrojtjes së një pjese të ndjeshme të zonës tampon të Parkut Kombëtar, pjesë e trashëgimsië botërore.

Misioni tha se lidhur me ndryshimin e kufijve nuk ishte njoftuar Qendra e Trashëgimisë Botërore dhe misioni ua kishte bërë të qartë autoriteteve shqiptare se duhet të paraqisnin një kërkesë zyrtare në Komitetin e Trashëgimisë Botërore lidhur me këtë ndryshim.

(Raimond Kola, Zëri i Amerikës)