Ornela Dardha nderohet në Itali me çmimin shkencëtarja e re më e mirë në Europë

Tiranë / Glasgow, 22 mars 2023 – Shkencëtarja shqiptare Ornela Dardha, lektore e lartë në shkencat kompjuterike në Universitetin e Glasgowt, është nderuar nga qeveria italiane me çmimin e madh “Science. She says”, si “Shkencëtarja e re femër me arritje personale të jashtëzakonshme”.

Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, Ornela ka treguar se ky çmim iu dha nga Ministria e Puneve te Jashtme të Italisë, duke e zgjedhur për më të mirën në Evropë mes femrave nga mbarë bota.

“Ky çmim u dha nga qeveria italiane, konkretisht nga Ministria e Punëve të Jashtme. I jep një femre, një vajze të re joitaliane që jeton jashtë Italisë dhe që ka kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme në shkencë, në inovacion apo në teknologji, dhe që ka lidhje të ngushta me Italinë. Në këtë çmim u përfshinë të gjitha fushat e shkencave, jo vetëm informatika që është dega ime. U dhanë 5 çmime, dmth një për rajon dhe unë e fitova për Europën”, tha ajo.

“Rëndësia e këtij çmimi është të vendosen grate në vendet që i meritojnë dhe të vlerësohet roli i grave në shkencë dhe teknologji, sepse këto zakonisht janë degë apo fusha që konsiderohen për meshkuj’, shtoi ajo.

Ornela Dardha tregoi se ajo i ka mbaruar studimet bachelor dhe master për informatikë në La Sapienza, ndërsa doktoraturën e kambaruar në Bolonja.

(r.m.)