OSBE: Moscertifikimi i Listës Serbe për zgjedhje tlokale e minon pluralizmin demokratik

Prishtinë, 22 gusht 2025 – Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

 “Përjashtimi i aktorëve politikë e minon pluralizmin demokratik, e dobëson besimin në institucione dhe i zvogëlon mundësitë që të gjitha komunitetet të përfaqësohen në mënyrë të drejtë”, thuhet në një komunikatë të këtij misioni në Kosovë.

Misioni i OSBE-së thekson se “pjesëmarrja e plotë dhe e vërtetë e të gjitha komuniteteve në procesin zgjedhor është thelbësore për qëndrueshmërinë, integritetin dhe stabilitetin demokratik afatgjatë”.

Ai thotë se do të ndjek nga afër procesin e ankimimit të vendimit të KQZ-së në Panelin e Ankesave dhe Parashtresave (PZAP).

Komunikata e plotë:

Misioni i OSBE-së në Kosovë riafirmon se e drejta për të marrë pjesë në zgjedhje të lira dhe të ndershme është një gur themeli i qeverisjes demokratike dhe një element thelbësor i jetës politike gjithëpërfshirëse. Komisioni Qendror Zgjedhor ka luajtur një rol kyç në nxitjen e standardeve zgjedhore në Kosovë për shumë vite. Përjashtimi i aktorëve politikë e minon pluralizmin demokratik, e dobëson besimin në institucione dhe i zvogëlon mundësitë që të gjitha komunitetet të përfaqësohen në mënyrë të drejtë.

Misioni thekson se pjesëmarrja e plotë dhe e vërtetë e të gjitha komuniteteve në procesin zgjedhor është thelbësore për qëndrueshmërinë, integritetin dhe stabilitetin demokratik afatgjatë.

Misioni do të vazhdojë të monitorojë situatën nga afër, duke përfshirë procedurat ligjore që mund të zhvillohen në vijim, përmes Panelit të Ankesave dhe Parashtresave Zgjedhore (PZAP) në përgjigje të vendimit për mos certifikimin e Listës Serbe.

(r.m.)