Osmani: 24 Marsi është dita e kthesës, shpresës dhe lirisë

Prishtinë, 24 mars 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me ambasadorë të shteteve të QUINT-it, bënë homazhe te Memoriali u ushtarëve të NATO-s të rënë për lirinë e Kosovës, në 24 vjetorin e fillimit të ndërhyrjes së NATO-s, e cila i dha fund gjenocidit të regjimit gjenocidal të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës.

Presidentja Osmani tha se bota e lirë perëndimore, doli në mbrojtje të popullit të Kosovës të cilit i kanosej shfarosja. Ajo citoi një pjesë të fjalës së ish-presidentit të SHBA-së, Bill Clinton, i cili dënonte fuqishëm veprimet e forcave ushtarake e policore të Serbisë.  

“Miku i madh i Kosovës, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton në ditën e dhënies së urdhrit për fillimin e bombardimeve në një fjalim historik të tij, deklaroi se: ‘forca jonë ushtarake iu bashkuan aleatëve tanë të NATO-s në sulmet ajrore kundër forcave serbe, përgjegjëse për brutalitetin kundër Kosovës’”, u shpreh ajo.

Presidentja Osmani theksoi se populli i Kosovës do t’i jetë përgjithmonë mirënjohës botës aleanncës perëndimore që parandaloi spastrimin etnik të Kosovës dhe ia theu shpresën e besimin për liri.

“24 Marsi është dita e kthesës, shpresës dhe lirisë. Do ta përsërisim çdo herë se populli i Kosovës ishte viktimë më 1999, ndërkaq Serbia ishte agresore. Kështu do të jetë gjithnjë në analet e historisë”, u shpreh Osmani.

Ajo theksoi se institucionet shtetërore dhe populli i Kosovës do të jetë gjithmonë në mbrojtje të vlerave të botës demokratike dhe kundër autokratëve, diktatorëve e tiranëve,

“Ne duhet ta dëshmojmë se paqja dhe liria nuk janë ideale të dëshiruara, por realitete të jetuara. Ne e çmojmë kontributin e miqve tanë, andaj, duke ruajtur aleancën me partnerët tanë, do ta ruajmë lirinë dhe të ardhmen tonë”, theksoi ajo.

Presidentja Osmani falënderoi gratë dhe burrat e shteteve anëtarë të NATO-s për kontributin e tyre për lirinë e Kosovës. Ajo theksoi se secili prej tyre gëzon mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës.

(r.m.)