Osmani: BE-ja duhet t’ia heqë masat Kosovës dhe t’i trajtojë me seriozitet politikat destabilizuese të Serbisë

Prishtinë, 9 maj 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një postim në Facebook me rastin e 9 Majit – Ditës së Evropës – i ka bërë thirrje përsëri Bashkimit Evropian t’i heqë masat ndëshkuese kundër Kosovës dhe t’i shqyrtojë me seriozitet politikat destabilizues” të Serbisë.

“Në këtë ditë të shënuar, është me rëndësi që, me një zë, të kërkojmë heqjen e masave të padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, si dhe trajtimin me seriozitet të politikave destabilizuese të Serbisë—të cilat u bënë edhe më të dukshme edhe kur Vuçiq zgjodhi ta shënojë Ditën e Evropës në Moskë, pikërisht te Putini, ai që sot po rrezikon stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit tonë”, ka shkruar ajo.

“Që ëndrra e evropianëve për një Evropë të tërë, të lirë dhe të bashkuar të realizohet plotësisht, duhet të marrin fund politikat ndëshkuese ndaj popullit më pro-evropian dhe të ndalen politikat akomoduese ndaj Serbisë proputiniste”, ka shtuar Presidentja Osmani.

Ajo ka thënë se vlerat e Bashkimit Evropian kanë qenë dhe mbeten udhërrëfyes në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit në familjen evropiane.

“Në Ditën e Evropës, reflektojmë mbi vlerat që qëndrojnë në themel të Republikës sonë dhe të Bashkimit Evropian: demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Këto vlera kanë qenë dhe mbeten udhërrëfyes në rrugëtimin tonë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe në forcimin e përditshëm të shtetit tone”, ka thënë ajo,

“Për popullin e Kosovës, kjo ditë përfaqëson një dëshmi të përkushtimit tonë të palëkundur, sepse ne besojmë në Evropë, pavarësisht sfidave dhe padrejtësive me të cilat përballemi gjatë këtij rrugëtimi”, ka theksuar Presidentja Osmani.

BE-ja ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023, pas rritjes së tensioneve në pjesën veriore të vendit, për shkak të veprimeve të qeverisë së Kosovës për shtrirjen e autoritetit në katër komunat me shumicë serbe, veprime këto që u cilësuan si “të njëanshme” dhe “të pakoordinuara” me faktorin ndërkombëtar. BE-ja vazhdon t’i mbajë këto masa edhe më tutje në fuqi, me arsyetimin se Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionimin e situates në komunat e banuara me shumicë serbe në veri.

Masat ndëshkuese ndaj Kosovës ishin vendosur me rekomandim të zyrës së ish-përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, spanjolit Joseph Borrell, pa ndonjë vendim të këshillit të ministrave, i cili merret me Konsensus, kurse tani kërkohet që vendimi për heqjen e këtyre masave të merret me konsensus.

(r.m.)  

Comment

*