Prishtinë, 2 korrik 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje liderëve të të gjitha forcave politike që sa më shpejt, por gjithsesi brenda afatit 30 ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrijnë pajtim për konstituimin e Kuvendit.
“Presidentja Osmani u ka bërë thirrje liderëve që në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, sa më shpejt, por gjithsesi brenda afatit 30- ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrihet një pajtim rreth rrugës përpara për konstituimin e Kuvendit”, thuhet në komunikatën e Presidencës.
“Ashtu siç ka potencuar edhe në deklarime të mëparme, Presidentja Osmani konsideron se moskonstituimi i institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve i shprehur më 9 shkurt të këtij viti dëmton vlerat demokratike si dhe interesat e shtetit tonë, pengon një sërë përftimesh shtetërore që janë në interes të qytetarëve dhe zvogëlon besimin qytetar në institucione”, thuhet në komunikatë.
Presidentja Osmani e ka filluar një cikël të ri konsultimesh me liderë të partive politike parlamentare lidhur me konstituimin e Kuvendit, në dritën e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr.KO 124/25. Sot ajo është takuar me Kryeministrin në detyrë, njëherësh, kryetar i Vetëvendosjes, Albin Kurti, me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Presidenca bëri të ditur se liderët e këtyre partive kanë paraqitur qëndrimet e tyre lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit si dhe interpretimet e tyre për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Presidentja Osmani do të takohet edhe me liderë të partive tjera parlamentare, në përpjekje për zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.
“Presidentja Osmani do të vazhdojë me takime konsultative me partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvend edhe përgjatë ditëve në vijim, në rolin e saj si garantuese e funksionimit kushtetues dhe përfaqësuese e unitetit të popullit në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Presidencës së Kosovës.
Procesi i konstituimit të Kuvendfit të Kosovës është bllokuar në pikën e dytë të rendit të ditës së ceancës konstituive, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar deputeten Albulena Haxhiu për kryetare, por, në gjashtë votimet e para, ajo nuk i ka marrë votat e mjaftueshme për drejtuese të organit ligjvënës. Në përpjekje që të sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj, Lëvizja Vetëvendosje po propozon vazhdimisht që të votohet në mënyrë të fshehtë, por deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Listës Serbe po e pamundësojnë këtë formë votimi duke e bojkotuar procesin e votimit për formimin e komisionit për mbikëqyrjen e procesit të votimit t ë fshehtë.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka thënë se konstituimi i Kuvendit duhet të bëhet sa më parë e më së largu brenda 30 ditësh. Ajo ka thënë se kjo duhet të bëhet me konsensus e kompromis, në mirëbesim të subjekteve politike, por nuk ka thënë shprehimisht nëse votimi duhet të jetë i hapur apo i fshehur. Kjo ka bërë që partitë politike ta interpretojnë sipas mënyrës që do të preferonin ato.
(r.m.)