Osmani bën thirrje që sa më shpejt të bëhet konstituimi i Kuvendit dhe formimi i qeverisë

Prishtinë, 29 gusht 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje partive parlamentare ta gjejnë një zgjidhje në përputhje me Kushtetutën e vendit për t’i themeluar Kuvendin dhe Qeverinë e re sa më parë që jetë e mundur. Ajo ka theksuar se formimi i institucioneve të reja është urgjencë.

“Që Kuvendi të konstituohet urgjentisht, që qeveria të zgjidhet po ashtu urgjentisht, çdo ditë e humbur është ditë e humbur për Kosovën, për popullin e saj, për perspektivën tonë euroatlantike, kështu që shpresoj që të gjendet një zgjidhje në përputhje me Kushtetutën”, ka thënë Osmani, pas homazheve që bëri te Monumenti i Personave të Zhdukur, në Prishtinë.

“Që Kuvendi të konstituohet urgjentisht, që qeveria të zgjidhet po ashtu urgjentisht, çdo ditë e humbur është ditë e humbur për Kosovën, për popullin e saj, për perspektivën tonë euroatlantike, kështu që shpresoj që të gjendet një zgjidhje në përputhje me Kushtetutën sa më parë që të jetë e mundur”, ka shtuar ajo.

Thirrja e Presidentes Osmani vjen pas ngërçit në procesin e zgjedhjes së nënkryetarit të pestë të Kuvendit, i cili e përfaqëson komunitetin serb.

Të martën, deputetët e Kuvenditt ë Kosovës zgjodhën kryetarin dhe katër nënkryetarë, por procesi u ndërpre dy herë pas dështimit të votimeve për nënkryetarin nga komuniteti serb.

Në votimet e të enjtes, asnjëri nga kandidatët e Listës Serbe të hedhur në votim përmes shortit nuk i fitoi votat e mjaftueshme.

As Nenad Rashiqi nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i cili nuk përkrahet nga Lista Serbe, nuk i mori së paku 61 vota, ndonëse ai e gëzon mbështetjen e partisë më të madhe në Kuvend, Lëvizjes Vetëvendosje.

Votimi ndaras për nënkryetarët nga komunitetet pakicë ka nxitur dyshime se mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, pasi në të kaluarën kandidatët për nëkryetarë janë votuar në pako.

Presidentja Osmani nuk ka dashur të thotë nëse votimi ndaras për nëkryetarët përbën shkelje të Kushtetutës.

“Nuk dua ta jap interpretime kushtetuese për këtë situatë”, ka thënë ajo duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve për këtë çështje.

Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës është caktuar për të shtunën në orën 11

(r.m.)