Osmani bisedoi me O’Brien për rolin e SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi

Uashington, 8 korrik 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, takoi të hënën në Uashington ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, James O’Brien.

Presidentja Osmani, në një postim në Facebook, ka bërë të ditur se me z. O’Brien ka biseduar edhe për dialogun Kosovë – Serbi, me theks në rëndësinë e rolit të SHBA-ve për suksesin e këtij procesi.

“Diskutim përmbajtësor mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë amerikanë për tejkalimin e sfidave të përbashkëta, si dhe për mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë.

Bashkë, diskutuam edhe zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, dhe rëndësinë e rolit të SHBA-ve për suksesin e këtij procesi”, ka shkruar ajo.

Presidentja Osmani ndodhet në SHBA me ftesë të sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për të marrë pjesë në një forum për gratë, paqen dhe sigurinë, i cili mbahet në kuadër të Samitit të NATO, në Uashington.

Ndihmëssekretari O’Brien, në disa raste, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura gjatë dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Për të ecur përpara, ne kemi nevojë për zbatimin e marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga BE-ja, përfshirë ‘përparimin urgjent’ në hapat që çojnë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, ka thënë O’Brien në prill të këtij viti.

Në fund të qershorit, ai ka thënë se Serbia ka premtuar se Millan Radoiçiq, i cili e ka pranuar përgjegjësinë për organizimin e sulmit të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, do të përballet me drejtësinë.

Dorëzimi i Radojçiqit ka qenë një prej kushteve të shtruara nga Kryeminitstri i Kosovës, Albin Kurti, për vazhdimin e dialogut me Serbinë në nivelin m՞ të lartë.

(r.m.)

Comment

*