Osmani bisedon me Limajn për zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit

Prishtinë, 18 korrik 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar të premten takim me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në përpjekje për zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.

“Ky takim vjen në prag të përfundimit të afatit kushtetues të përcaktuar me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO124/25, i cili obligon deputetët që të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve, konkretisht deri më 26 korrik”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Presidenca bëri të ditur se Presidentja Osmani ka theksuar se zbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetues është detyrim kushtetues për deputetët.

“Presidentja Osmani theksoi se zbatimi i këtij aktgjykimi është detyrim i qartë kushtetues dhe potencoi rëndësinë që të gjithë përfaqësuesit e qytetarëve të veprojnë në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, me qëllim të arritjes së një zgjidhjeje sa më të shpejtë për konstituimin e Kuvendit, në interes të qytetarëve dhe funksionimit demokratik të shtetit”, thuhet në njoftim.

Në fillim të javës, Fatmir Limaj ka paralajmëruar se do të takohet këtë fundjavë me kryeministrin në detyrë dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të diskutuar për zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit. Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka shfaqur shpresën se takimi do ta zhbllokojë procesin.

“Presim që në fundjavë të ketë një epilog pozitiv, pra shpresojmë se këto bisedime që kanë vazhduar me muaj të tërë, të prodhojnë rezultat dhe Kosova të ketë institucione”, ka thënë ajo.

Sipas Izmakut, në takim pritet të arrihet pajtim që Limaj të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit.

“Më në fund dikush po del mbi egot personale dhe partiake, e ky duket që do të jetë zoti Limaj pra, sepse nga fillimi e ka ndryshuar diskursin në këtë vend”, ka thënë ajo.

Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituimin e Kuvendit, por nuk ka shpjeguar se çfarë ndodh nëse konstituimi nuk ndodh deri atë ditë.

Presidentja Osmani ka deklaruar të enjten se zyra e saj po përgatitet t’i kërkojë shpjegime shtesë Gjykatës Kushtetuese, në qoftë se konstituimi i Kuvendit nuk bëhet këtë fundjavë.

(r.m.)