Osmani e Begaj bëjnë homazhe për Papa Françeskun në Vatikan

Vatikan, 25 prill 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, bashkë me kardinalin Ernest Simoni, kanë bërë homazhe para arkivolit të Papa Françeskut, që vdiq më 21 prill në moshën 88-vjeçare.

“Sot, në bazilikën “Shën Pjetri” në Vatikan, së bashku me presidentin Begaj, kardinalin e vetëm shqiptar, Ernest Simonin dhe delegacionet tona, bëmë homazhe për Shenjtërinë e Tij, Papë Françeskun, për të shprehur respektin e qytetarëve tanë ndaj përkushtimit të tij frymëzues për paqe, harmoni dhe dinjitet njerëzor në mbarë botën”, shkroi Osmani në Facebook.

Nga fotoja e publikuar nga Presidentja Osmani shihet se pjesë të delegacionit të Shqipërisë ishin e kreu i komunitetit musliman dhe kre i Kishës Ortodokse Shqiptare.

Në ceremonitnë e varrimit të Papa Françeskut, që do të zhvillohet të shtunën, më 26 prill, do të marrin pjesë liderë e udhëheqës të vendeve nga mbarë bota. Në mesin e tyre do të jetë presidenti amerikan, Donald Trump

Papa Françesku, i lindur si Jorge Mario Bergoglio në Buenos Aires të Argjentinës, vdiq nga sulmi në tru dhe si pasojë e dështimit të pakthyeshëm të funksionit të zemrës, tha Vatikani.

Françesku e ka lënë në testament që dëshironte të varrosej në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe në Romë dhe jo në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, ndryshe nga shumë papë të mëparshëm.

(r.m.)

Comment

*