Uashington, 19 shkurt 2026 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se të enjten Kosova ka ndier peshën e garancisë amerikane dhe për këtë e ka falënderuar presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
“Kosova sot ndjeu peshën e garancisë amerikane! Faleminderit, President Trump!”, ka shkruart Osmani në rrjetin social Facebook, pas mbledhjes inauguriese të Bordit të Paqes në Uashington.
Në mbledhjen e Bordit të Paqes, ku është diskutuar për parandalimin dhe ndërprerjen e konflikteve në botë, Trump ka premtuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për arritjen e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë.
Trump, duke iu drejtua Osmanit, e ka lëvdëruar punën e saj dhe e ka këshilluar që ta marrë personalisht në telefon, në rast se do të ketë vështirësi në përpjekjet për arritjen e marrëveshjes.
“Duhet të kemi një marrëveshje, përndryshe do të ndodhin gjëra të këqija. Kosova–Serbia, keni bërë një punë të jashtëzakonshme. Nëse nuk ia dilni, më merrni në telefon dhe do ta zgjidhim”, është shprehur Donald Trump.

Presidenti Trump ka deklaruar disa herë Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbeten të palëkundura në mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Këtë e ka bërë edhe në letrën e urimit të 18 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”, ka thënë Trump.
Të njëjtën gjë e ka thënë edhe sektretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në urimin e tij të Ditëss ë Pavarësisë së Kosovës.
Kosova ishte në mesin e vendeve të para që iu bashkuan nismës së Presidentit Trump për themelimin e Bordit të Paqes. Presidentja Osmani mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të deklaratës për themelimin e këtij Bordi, në Davos të Zvicrës.

(r.m.)