Osmani e Hovenier biseduan për shtensionimin e situatës në veri

Prishtinë, 20 korrik 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier, me të cilin bisedoi për zhvillimet në vend, me fokus të veçantë në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në njoftimin nga Presidenca thuhet se në takim u diskutua edhe për vazhdimin e bashkërendimit me partnerët, duke e ditur që si institucionet tona ashtu edhe SHBA-të, kanë të njëjtin qëllim për shtensionimin e situatës në veri të vendit.

Ambasadori Hovenier është takuar të enjten edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ku është biseduar për situatën aktuale politike në Kosovë.

“Ambasadorit amerikan i shpreha qëndrimin që Kosova të mos vuaj masa ndëshkuese për shkak të kryeneçësisë politike të një individi”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ai ka thënë se “veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës janë tërësisht të papranueshme” dhe ka theksuar se rrugëdalje nga kjo situate janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

(r.m.)