Osmani e Kurti: Kosova dhe SHBA-ja pajtohen që dialogu të përqendrohet në njohje

Prishtinë, 30 korrik 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, thanë se gjatë vizitës së tyre në Shtetet e Bashkuara është rikonfirmuar mbështetja e Uashingtonit për Kosovën, si në fushën e ekonomisë, por edhe të integrimeve evropiane.

Osmani dhe Kurti qëndruan për disa ditë në SHBA, ku u takuan me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe morën pjesë në nënshkrimin e një marrëveshjeje në vlerë prej mbi 200 milionë dollarësh me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Pas kthimit në Kosovë, në një konferencë për media në aeroportin “Adem Jashari”, Osmani tha se në takim, Blinken ka konfirmuar qëndrimi që dialogu me Serbinë të përqendrohet në njohje reciproke.

“Në këtë temë është tejet me rëndësi që sërish është rikonfirmuar qëndrimi amerikan që asesi nuk shtyjnë përpara një zgjidhje që do ta prekte integritetin territorial, sovranitetin e Republikës së Kosovës apo edhe rregullimin kushtetues të Kosovës”, tha Osmani.

Kryeministri Kurti tha se Prishtina dhe Uashingtoni pajtohen se si duhet të përmbyllet procesi i dialogut  mes Kosovës e serbisë.

“Ne pajtohemi plotësisht me SHBA-në (për marrëveshjen përfundimtare), e ajo është: marrëveshje ligjërisht e obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve e cila në qendër ka njohjen reciproke”, tha Kurti.

Osmani bëri të ditur se në takim me Blinkenin kanë biseduar për njohjet e Kosovës dhe ka marrë mbështetjen e SHBA-së në këtë çështje, por edhe për rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Të dy krerët shtetërorë tëKosovës pranuan se sekretari Blinken, gjatë takimit, e ka shtruar edhe çështjen e pronës së Manastirit të Deçanit. Sipas Osmanit, kjo temë është shtruar, sië u shpreh, “në kontekstin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, por nuk dhanë më shumë detaje.

(r.m.)