Prishtinë, 3 janar 2026 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e kanë mbështetur operacionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Venezuelë, të kryer të shtunën.
Presidentja Osmani ka thënë se Kosova qëndron fuqishëm në krah me Shtetet e Bashkuara dhe presidentin Donald Trump në mbështetje të veprimeve kundër regjimit narko-terrorist të Venezuelës.
“Kosova qëndron fort me Shtetet e Bashkuara dhe Presidentin Donald Trump në mbështetje të veprimeve të tij kundër regjimit narko-terrorist të Venezuelës. Presidenti Trump u vu në krah të popullit të Venezuelës, duke iu kundërvënë narko-shtetit të Maduros, duke e mbrojtur Amerikën dhe pjesën tjetër të botës nga kartelet dhe krimi i organizuar. Kështu duket forca dhe lidershipi amerikan. Populli venezuelian meriton lirinë, demokracinë dhe një të ardhme ku sundon ligji dhe jo frika. Narko-terrorizmi dhe sundimi autoritar kërcënojnë paqen përtej kufijve kombëtarë”, ka shkruar Osmani në platformën X.
Kosova e kupton ndikimin e vendosmërisë amerikane — çlirimi ynë është një dëshmi e kësaj. Në një moment kur SHBA-të po përballen me tiraninë në Venezuelë, të gjithë duhet ta përforcojmë këtë qëndrim, sepse komuniteti transatlantik është më i fortë kur bashkohet pas lidershipit amerikan dhe vlerave të përbashkëta. Kur Amerika udhëheq, ne qëndrojmë me krenari së bashku — sepse liria jonë kolektive varet prej saj”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Edhe Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Kosova e mbështet operacionin e SHBA-së në Venezuelë, duke theksuar se mbajtja përgjegjës e aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin e drogave është thelbësore për suksesin në luftën kundër kësaj dukurie.
“Republika e Kosovës mbështet operacionin anti-narkotik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të udhëhequr nga Presidenti Donald Trump, në Venezuelë. Mbajtja përgjegjës e aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin e drogave është thelbësore për suksesin në luftën kundër kësaj dukurie”, ka shkruar Kurti në Facebook.
“Kosova, si aleate strategjike e ShBA-së dhe NATO-s, ofron mbështetje të plotë në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe kundër cenimit të vlerave demokratike perëndimore nga aktorë përfaqësues (proxy) të kundërshtarëve të këtyre vlerave, si në rajonin tonë ashtu edhe më gjerë”, ka shtuar ai.
“Në këtë kontekst, ritheksojmë nevojën për rritjen e vëmendjes ndaj aktorëve të caktuar rajonalë, të cilët në vazhdimësi synojnë provokimin e situatës së sigurisë përmes veprimeve hibride, kriminale, terroriste dhe ushtarake”, ka theksuar Kurti.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer të shtunën sulme nga ajri në Venezuelë, ndërsa pjesëtarë të njësisë elitare të ushtrisë amerikane për luftën kundër terrorizmit e kanë kapur Presidentin e këtij vendi, Nicolas Maduro, bashkë me bashkëshorten e tij, Cilia Adela, dhe të dy janë nxjerrë nga vendi. Ata do të gjykohet në Shtetet e Bashkuara.
Prokurorja e përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, ka thënë se një gjykatë në Nju Jork ka ngritur aktakuzë kundër Maduros dhe Flores dhe se ata “do të përballen së shpejti me të gjithë peshën e drejtësisë amerikane në tokën amerikane, në gjykatat amerikane”.
“Ndaj Maduros është ngritur aktakuzë për komplot për narkoterrorizëm, komplot për importimin e kokainës, posedim të mitralozëve dhe pajisjeve shkatërruese, si dhe komplot për të poseduar mitralozë dhe pajisje shkatërruese kundër Shteteve të Bashkuara”, ka thënë Bondi në një deklaratë për publikun.
(r.m.)