Osmani e Prattipati diskutuan për procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës

Prishtinë, 28 gusht 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka diskutuar me të ngarkuarën me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, për hapat drejt përmbylljes së procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

“Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe shumicës së nënkryetarëve, si dhe hapat e mëtejshëm drejt konstituimit të plotë të Kuvendit”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

Në njoftim thuhet se bashkëpunimi dypalësh mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte një temë tjetër e bisedës së Presidentes Osmani dhe diplomates Prattipati dhe se të dy palët kanë shprehur gatishmërinë për avancimin e mëtejshëm në fusha me interes strategjik për të dyja vendet.

Para pak ditësh, diplomatja amerikane ka thënë se ngërçi politik po i shkakton humbje të mundësive për Kosovën, ndërkaq Presidentja Osmani e ka cilësuar konstituimin e Kuvendit si “urgjencë shtetërore”.

Seanca konstituive për legjislaturën e dalë nga zgjedhjet e shkurtit ka nisur më 15 prill, por edhe nuk është përmbyllur. Të martën, më 26 gusht, deputetët zgjodhën Dimal Bashën kryetar të Kuvendit të Kosovës dhe katër nënkryetarë: Albulena Haxhiun nga Lëvizja Vetëvendosje, Vlora Çitakun nga Partia Demokratike e Kosovës, Kujtim Shalën nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Emilia Rexhepin nga komunitetet joserbe. Procesi u ndërpre pasi asnjëri nga kandidatët e komunitetit serb nuk e fitoi numrin e nevojshëm të votave. Ndër kandidatët që nuk fituan së paku 61 vota është edhe Nenad Rashiqi, kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Rashiq është i vetmi deputet serb që e gëzon mbështetjen e partisë më të madhe në kuvend, ëvizjes Vetëvendosje, prandaj propozimi i tij hasi në reagim të ashpër të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Kjo parti paralajmëroi se çështjen do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

(r.m.)