Osmani e Rama angazhohen për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës e Shqipërisë

Prishtinë, 16 shkurt 2026 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Kabineti i Presdientes Osmani njoftoi se në takim është diskutuar për marrëdhëniet midis dy shteteve dhe për zhvillimet në rajon. Aty është theksuar nëevoja për koordinimin e ngushtë të veprimit politik dhe institucional, si edhe për intensifikimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme, në funksion të avancimit të interesave të përbashkëta strategjike.

“Të dy liderët theksuan rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm Kosovë–Shqipëri si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, si dhe rolin konstruktiv të të dyja shteteve në nisma ndërkombëtare që promovojnë paqen dhe bashkëpunimin:”, thuhet në njoftim.

Smani e Rama, sipas njoftimit, kanë theksuar rëndësinë e përfshirjes së Kosovës dhe Shqipërisë në nismat rajonale e globale për paqe.

“Gjatë takimit u diskutua edhe për bashkëpunimin në kuadër të Bordit të Paqes, duke u theksuar rëndësia e angazhimit të përbashkët në iniciativa globale që promovojnë dialogun, sigurinë dhe vlerat demokratike. Në këtë kontekst, u nënvizua se Kosova dhe Shqipëria janë të nderuara me ftesën nga Presidenti Donald Trump në Bordin e Paqes, si dëshmi e respektit dhe partneritetit me aleatët strategjikë”, thuhet në njoftim.

“Presidentja Osmani dhe Kryeministri Rama riafirmuan vullnetin e tyre për thellimin e bashkëpunimit vëllazëror ndërmjet dy shteteve, duke vënë theksin në partneritetin ekonomik, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe krijimin e mundësive konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në afrimin dhe mirëqenien e qytetarëve të të dy vendeve. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani përgëzoi Kryeministrin Rama për progresin në rrugën drejt Bashkimi Evropian, duke e cilësuar këtë si një dëshmi të angazhimit të qartë evropian të Shqipërisë dhe si një zhvillim që forcon perspektivën evropiane të gjithë rajonit”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

Në njoftim thuhet se Kryeministri Rama ka uruar Presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ai ka rikonfirmuar “mbështetjen e plotë dhe të palëkundur të Republikës së Shqipërisë për shtetin e Kosovës dhe të ardhmen euroatlantike”.

(r.m.)