Prishtinë, 5 gusht 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi të martën se ajo e ka tërhequr kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese për sqarime lidhuir me çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për medie, Osmani bëri të ditur se kërkesën e ka tërhequr sapo ka mësuar se gjyqtar referues për çështjen e ngritur prej saj është caktuar gjyqtari serb Radomir Llaban. Ajo e cilësoi gjyqtarin Llaban si “figurë problematike për sigurinë e shtetit”, duke iu referuar informacioneve zyrtare të institucioneve të sigurisë.
“Sot, në përputhje me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren përkatëse, kam tërhequr kërkesën e paraqitur më 22 korrik 2025. Këtë e kam bërë si reagim të menjëhershëm ndaj informatës, tashmë të konfirmuar, se si gjyqtar raportues në këtë rast është caktuar Radomir Laban, për veprimtarinë e rrezikshme të të cilit në vitet 2018, 2021 dhe 2024 institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta dhe zyrtare”, tha Osmani.
“Caktimi i tij në një çështje të një rëndësie të tillë kushtetuese është thellësisht shqetësues dhe mund të krijojë pasoja serioze për institucionet tona,” theksoi ajo.
Presidentja Osmani bëri thirrje për shtim të vigjilencës në mbrojtje të integritetit të institucioneve kushtetuese dhe sigurisë së shtetit. Ajo tha se është e palejueshme që çështje të ndjeshme të shtetit të trajtohen nga “individë për të cilët ekzistojnë dyshime të thella për rrezikshmëri ndaj rendit kushtetues të Kosovës.
Presidentja Osmani tha se nuk mund të japë më shumë detaje lidhur me rrezikun që përbën për sigurinë kombëtare të Kosovës veprimtaria e gjyqtarit Llaban, duke shtuar se këto janë informacione të klasifikuara të institucioneve të sigurisë, Por nuk e përjashtoi mundësinë që këtë ta bëjë më vonë.
“Për momentin nuk mund t’i ndajmë. Ndoshta më vonë. Janë dokumente të klasifikuara që nuk mund të ndahen me publikun tani”, tha ajo.
Presidentja Osmani tha se Radomir Llaban ishte dekretuar gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në vitin 2018 dhe shpjegoi se procedura për shkarkimin e gjyqtarit të Kushtetueses është mjaft e komplikuar dhe se Presidentja nuk mund të veprojë pa një propozim zyrtar nga vetë gjykata.
Një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese mund të shkarkohen nga presidenti i Kosovës vetëm me propozimin e dy të tretave të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, dhe atë vetëm për shkak të kryerjes së krimeve të rënda ose për mospërfillje të rëndë të detyrave dhe obligimeve të tij.
Radomir Llaban ishte dekretuar gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në gusht të vitit 2018.
Në maj të vitit 2018, Thaçi kishte refuzuar ta dekretonte Llabanin para se të përfundonte procesi i verifikimit të figurës së tij nga organet e drejtësisë, por e dekretoi disa muaj më vonë.
Në vitin 2011, një gjykatë në Serbi e kishte dënuar Llabanin me gjashtë vjet burgim për veprën penale të marrjes së ryshfetit. Në vitin 2017, Serbia i kishte dërguar EULEX-it kërkesë për arrestimin dhe ekstradimin e Llabanit, mirëpo EULEX-i kishte thënë se nuk kishte mandat për arrestime për raste të tilla.
Radomir Llaban ishte propozuar për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese nga Lista Serbe, ndërsa kandidatura e tij ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
Mandati i gjyqtarit Llaban në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës është nëntë vjet.
(r.m.)