Osmani e vazhdon traditën e Rugovës, ia dhuron Tony Blairit një kristal të Kosovës

Prishtinë, 10 qershor 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur ta vazhdojë traditën e Presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, për nderimin e miqve dhe aleatëve të Kosovës.

Ajo ia ka dhuruar ish-kryeministrit britanik, Tony Blair, një kristal të Kosovës, në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për mbështetjen e madhe të Britanisë së Madhe në rrugëtimin e Kosovës për liri, pavarësi e demokraci.

Presidentja Osmani ka bërë të ditur aë kristalin që ia ka dhuruar ish-kryeministrit Blair ia ka dhuruar familja e Presidentit Rugova, nga koleksioni që ai e kishte në shtëpinë e tij.

“Një gur kristali për mikun e madh të Kosovës Tony Blair, për të vazhduar traditën e Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova. Faleminderit familjes Rugova për përzgjedhjen dhe dhurimin e gurit”, ka shkruar Presidentja Osmani në Facebook.

Blair po qëndron në Prishtinë në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës.

Të hënën, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovë, ai tha se vendimi i atëherëshëm për sulmet e NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore serbe “kishte efekte më të gjera se sa vetëm çlirimi i popullit të Kosovës”.

(r.m.)

Comment

*