Prishtinë, 27 nëntor 2023 – Udhëheqësit e Kosovës shprehën sot përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe për pjesëmarrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione paqebërëse bashkë më ushtritë e vendeve anëtare të Aleancës.
“Forca e Sigurisë është forcë e cila është trajnuar në bazë të standardeve më të larta të NATO-s, forcë e cila jep kontribut jo vetëm për paqen e sigurisë në rajon, por edhe përtej duke shërbyer së bashkë me forcat amerikane, forcat e Mbretërisë së Bashkuar dhe ushtritë e tjera aleate nëpër vende të ndryshme të botës në misione paqeruajtëse dhe kështu duke e dëshmuar se tashmë ajo është e gatshme t’u bashkohet ushtrive të tjera aleate në aleancën më të fuqishme në historinë e njerëzimit në aleancën e NATO-s”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në ceremoninë e shënimit të Ditës së Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“… së bashku me institucionet e tjera, do të punojmë në mënyrë që të krijohen kushte edhe shumë më të volitshme, qofshin ato të mirëqenies, qofshin ato të trajnimeve dhe shkollimit shtesë, qofshin ato shëndetësore, në mënyrë që çdo ushtar dhe çdo ushtare e ushtrisë sonë të ketë më shumë prosperitet dhe më shumë vullnet e motiv që të kontribuojë për ushtrinë tonë dhe për vendin tonë”, shtoi ajo.
Presidentja Osmani tha se me Kryeministrin, me ministrin e Mbrojtjes dhe me Komandantin e FSK-së bashkëunojnë ngushtë që Forca e Sigurisë së Kosovës çdo ditë e më shumë të arrijë majat më të larta.
Kryeministri Albin Kurti foli për investimet në zhvillimin dhe modernizimin e FSK-së. Ai tha se për më pak se tre vjet është dyfishuar buxheti për Ministrinë e FSK-së, janë trefishuar investimet në armatim dhe janë katërfishuar trajnimet dhe shkollimet e oficerëve dhe ushtarëve jashtë vendit
“Qeveria e Republikës së Kosovës në më pak se tri vjet ka bërë më shumë se dyfishim të buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes, ka bërë gati trefishim të investimeve në armatim dhe më shumë se katërfishim të trajnimeve dhe shkollimeve të oficerëve dhe ushtarëve tanë jashtë vendit. Konkretisht për më pak se 32 muaj kemi dërguar 3459 ushtarë e oficerë jashtë vendit”, tha Kurti.
Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti, së bashki me ministrin e FSK-së, Ejup Maqedoncin dhe komandantin e FSK-së, general-majorin Bashkim Jashari, vizituan kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë. Ata kanë parë nga afër armatmin dhe pajisjet ushtarake të ekspozuara me rastin Ditës së Forcës së Sigurisë së Kosovës.
(r.m.)