Prishtinë, 24 korrik 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shprehu shqetësimin për vendimin e djeshëm të Këshillit të Bashkimit Evropian që t’u hiqen vizat qytetarëve të Kosovës që kanë pasaporta ilegale serbe,
Ajo theksoi se ky vendim ndikon negativisht në shtrirjen e sundimit të ligjit në gjithë Kosovën dhe i dëmton përpjekjet për integrimin e komunitetit serb në Kosovë.
Presidentja Osmani i bëri këto komente të marten, në takim me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.
Zyrase Presidentes Osmani njoftoi se në takim u diskutua edhe për tema të tjera, përfshirë pjesëmarrjen e presidentes në aktivitetet e zhvilluara në kuadër të Samitit të NATO-s në Uashington dhe një sërë nismash ligjore që po trajtohen nga institucionet e Kosovës. Presidentja Osmani e ka vlerësuar ftesën e SHBA-ve për pjesëmarrje në këto aktivitete, duke e cilësuar si një “zhvillim strategjik në dobi të avancimit dhe ruajtjes së paqes dhe sigurisë në rajon dhe përtej”. Ajo ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të kishte impakt pozitiv për paqen dhe sigurinë e qëndrueshme dhe afatgjatë.
Në njoftim thuhet se Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier kanë diskutuan edhe për takimet e fundit të Presidentes me zyrtarë të lartë amerikanë, si edhe për koordinimin e veprimeve në dobi të interesave të Kosovës dhe të partneritetit me SHBA-të.
Më 22 korrik, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian morën vendim t’u hiqen vizat qytetarëve të Kosovës që kanë pasaporta ilegale, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.
Kosova nuk i njeh pasaportat e këtij mekanizmi që funksionon në kuadër të Ministrisë së Brendshme të Serbisë në Beograd, sepse në to Kosova trajtohet si pjesë e Serbisë.
Vendimin e BE-së e kritikoi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai e cilësoi atë si vendim “të padrejtë dhe të dëmshëm”, pikërisht për arsyet që i tha edhe Presidentja Osmani.
Autoritetet në Kosovë i inkurajojnë qytetarët serbë që të pajisen me pasaporta të Kosovës.
Qytetarët me pasaporta biometrike të Kosovës gëzojnë liberalizimin e vizave nga 1 janari i këtij viti.
(r.m.)