Prishtinë, 22 dhjetor 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të premten se hezitimi për ta pranuar Kosovën në aleancën ushtarake NATO dhe në Bashkim Evropian (BE) lë të hapur mundësinë për destabilizimin “jo vetëm të Kosovës, por të rajonit dhe më gjerë”.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, në Prishtinë, Osmani tha se Kosova llogarit në mbështetjen bullgare për anëtarësim në bllok.
“Udhëheqja e guximshme dhe veprimet vendimtare të aleatëve tanë në familjen euroatlantike për ta përshpejtuar pranimin e bazuar në merita të vendeve demokratike të rajonit në BE dhe NATO, sepse çdo hezitim do të krijonte një boshllëk që aktorët keqdashës ta destabilizojnë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin e përtej”, tha Osmani.
Ajo tha se ka vende me prirje për t’i keqpërdorur masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian i vendosi në fillim të këtij viti ndaj Kosovës, për ta “kushtëzuar atë për çështje plotësisht tjera”.
“Sa i përket masave, ato është dashur të hiqen moti, në fakt nuk është dashur të vendosen kurrë, përkundër mospajtimeve që kanë ekzistuar mes Qeverisë së Kosovës dhe partnerëve në BE sa i përket 26 majit”, tha Osmani.
Ajo nguli këmbë se Kosova i ka plotësuar kushtet për heqjen e masave, duke thënë se “ato që janë kërkuar nga Kosova për ato që e quanin deeskalim kanë ndodhur”.
“Ka tendencë nga disa që tani masat keqpërdoren si mënyrë për ta kushtëzuar Kosovën për çështje komplet të ndryshme nga arsyeja për të cilën ato janë vendosur në fillim. Një qasje të tillë e kam kundërshtuar në samitin BE-Ballkan Perëndimor më 13 dhjetor”, shtoi ajo.
Presidentja Osmani theksoi se një kushtëzim i tillë “do të ketë vetëm ndikim negativ”.
Presidenti e Bullgarisë, Rumen Radev, deklaroi se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KE).
“Bullgaria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën për anëtarësimin e saj sa më parë në Këshillin e Evropës”, tha Radev.
Ai tha gjithashtu se Bullgaria nuk do ta ndihmojë Kosovën edhe në fushën e sigorisë.
“Ne nuk mund ta lejojmë veten ta lëmë Kosovën në plan të dytë, aq më tepër në fushën e sigurisë”, u shpreh ai.
(r.m.)