Bruksel, 8 mars 2026 – Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Asambleja Parlamentare e NATO-s e publikoi një videomesazh të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ishte laureate e Çmimit “Gratë për Paqe dhe Siguri 2025”.
“Mesazhi i saj thekson rëndësinë e lidershipit të grave në ndërtimin e shoqërive më paqësore dhe më rezistente”, thuhet në njoftimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Presidentja Osmani, në fillim të mesazhit, thotë se ajo u drejtohet “të gjitha grave që aspirojnë të bëhen pjesë e brezit të ardhshëm të paqendëtuesve dhe paqebërësve – arkitektve, gardianeve dhe mbrojtëseve të së ardhmes më paqësore dhe më të sigurt”.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, nuk po ju flas vetëm si Presidente e Shtetit, por si grua, si nënë dhe si bijë që ka mësuar se me vendosmëri dhe kurajë mund të kapërcehet çdo paragjykim dhe çdo pengesë e imponuar dhe se premtimi i së nesërmes u përket grave, jo më pak burrave”, thotë ajo.
Osmani thotë se historia e Kosovës është provë e gjallë e kësaj të vërtete.
“Rrruga jonë drejt lirisë dhe shtetndërtimit nuk u shkrua vetëm nga burrat. Ajo u formësua nga gratë dhe burrat bashkërisht. Nga gratë që e udhëhoqën rezistencën paqësore kur zërat tanë ishin të ndrydhur, nga gratë që duruan dhe rezistuan në orët më të errëta të luftës dhe nga gratë që me heshtje e mundën buçimën e armëve, që u bënë forca morale prapa drejtësisë dhe rindërtimit të institucioneve tona me vizion dhe punë të palodhshme”, thotë ajo.
“Trashëgimia e tyre vazhdon të udhëheqë rrugën tonë demokratike. Nga kjo histori kemi nxjerrë një mësim të përhershëm: një proces paqeje që i përjashton gratë nuk mund të ketë sukses të vërtetë. Një sistem sigurie i krijuar pa zërat e grave nuk mund të qëndrojë. Një rend demokratik që lë pas gratë mbetet i paplotë. Gratë nuk janë vëzhguese të progresit. Ato janë drejtueset e tij – nga jeta publike dhe politike, te forcat e sigurisë, diplomacia, ekonomia dhe biznesi. Përvoja na ka treguar se kur gratë marrin pjesë plotësisht, shoqëritë bëhen më të drejta, më të forta dhe më të pasura”, thotë më tutje ajo.
Ptresidentja e Kosovës thotë se nuk është përgjegjësi vetëm e grave, por edhe e të gjitha shoqërive, që kudo në botë t’i jepet fund përgjithmonë pabarazisë së gruas dhe që gratë të përfshihen në lidetrship barabar me burrat.
“Zërat e grave nuk duhet kurrë të heshtin as injorohen. Lidershipi i tyre nuk duhet trajtuar si opsional dhe pabarazia nuk duhet pranuar si status quo. Sepse kur gratë udhëheqin, shoqëritë bëhen gjithmonë më të forta. Kur barazia është reale, paqja bëhet më e qëndrueshme. E ardhmja për të cilën aspirojmë është një e ardhme ku çdo ambicie e gruas njihet si legjitime, kontributi i saj vlerësohet dhe lidershipi i saj kuptohet për atë që është me të vërtetë, i domosdoshëm”, thotë Osmani.