Edhe Osmani i cilësoi “të tejkalueshme” dallimet mes saj e Kurtit

Prishtinë, 5 qershor 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mohoi të mërkurën se ajo dhe kryeministri Albin Kurti kanë përplasje politike, por pohoi se midis tyre ka edhe dallime. Ajo theksoi se dallimet mes krerëve të shtetit janë te tejkalueshme kur interesi shtetëror dhe qytetar është qëllim suprem.

“Nuk ka luftë politike. Si presidente luftoj vetëm për një gjë – për kushtetutshmërinë. Natyrisht, kur vendoset interesi shtetëror dhe interesi qytetar mbi të gjitha, çdo dallim është i tejkalueshëm”, tha ajo, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve për marrëdhëniet e saj me Kryeministrin Kurti, i cili e ka pranuar se ndonjëherë ka dallime midis tyre.

Presidentja Osmani tha se është e domosdoshme që të gjitha institucionet shtetërore dhe subjektet politike “të reflektojmë” për temat me interes nacional.

“Për mua temat e interesit nacional nuk janë detaje të parëndësishme, janë tema që kërkojnë kontributin e secilit prej nesh. Kur ulemi së bashku dhe vendosim, atëherë domosdoshmërisht rezultati do të jetë i mirë, siç ka dëshmuar historia këto 25 vjet”, tha ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën se midis tij e Presidentes Osmani ka edhe dallime, por theksoi se nuk beson që midis tyre ka dallime të patejkalueshme.

Mospajtimet mes Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Kurti janë shpërfaqur pas letrës që ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ia kishte dërguar Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës në prag të mbledhjes në të cilën pritej shqyrtimi i kërkesës së Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë. Në letër premtohej që një dreaft i statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë do të dërgohej për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese gjatë muajit maj.

Presidentja Osmani ka thënë se ajo nuk ishte konsultuar fare lidhur me përmbajtjen e letrës, të cilën e kishte cilësuar të dëmshme për Kosovën. Ajo ka theksuar se me me atë letër çështja e formimit të Asociacionit trajtohej veçantë nga Marrëveshja e parimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, e cila përfshin çështjen e Asociacionit në korpusin e të gjitha çështjeve të hapura me Serbinë që duhet të zgjidhen njëkohësisht.

(r.m.)