Prishtinë, 8 tetor 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është kundërpërgjigjur Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili e ka akuzuar Turqinë për pajisjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës me dronë luftarakë kamikazë “Skydagger”.
Vuçiq e ka akuzuar Turqinë se “nuk e dëshiron stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe e ëndërron rikrijimin e Perandorisë Osmane”.
Presidentja Osmani, në një postim në rrjetin social X, ka shkruar se Turqia, si shtet anëtar i NATO-s, po ndihmon në mbrojtjen e paqes në rajon.
“Pikërisht në ditën që Presidenti Trump i vlerësoi Turqinë dhe Presidentin Erdogan për lidershipin e tyre të jashtëzakonshëm në promovimin e paqes dhe sigurisë globale, Vuçiq e sulmoi paturpërisht Turqinë, vendin anëtar të NATO-s që po ndihmon në mbrojtjen e paqe”, ka shkruar Osmani.
Ajo e ka vlerësuar angazhimin e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për paqe, siguri dhe stabilitet në rajon dhe kudo në botë. Ndërkaq, Vuçiqin e ka akuzuar se vazhdon të kërcënojë vendet fqinje dhe forcon bashkëpunimin ushtarak me Rusinë, Kinën dhe Iranin.
“Jam krenar që kam punuar ngushtë me Presidentin Erdogan, një njeri i fjalës që gjithmonë ka treguar kujdes të thellë dhe të sinqertë për të gjithë njerëzit e rajonit tonë dhe ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ruajtjen e stabilitetit, sigurisë dhe mbrojtjes. Ndërkaq, Vuçiqi duket se beson se mund të kërcënojë një vend të madh të NATO-s si Turqia ashtu siç i kërcënon vendet fqinje. Në vend që të bashkëpunojë ngushtë me shtetet anëtare të NATO-s, ai nxit bashkëpunimin ushtarak me Rusinë, Kinën dhe Iranin”, ka shkruar ajo.
Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova do të vazhdojë modernizimin e aftësive mbrojtëse sipas standardeve të NATO-s, për të siguruar paqe dhe stabilitet në rajon dhe për të kontribuar në sigurinë kolektive.
“Ne do të vazhdojmë t’i forcojmë lidhjet me aleatët e NATO-s, duke modernizuar aftësitë tona mbrojtëse me standardet e NATO-s, duke siguruar paqe dhe stabilitet për popujt tanë dhe duke kontribuar në mënyrë aktive në sigurinë kolektive. Vuçiq duhet të përpiqet ta bëjë të njëjtën gjë, në vend që t’i sulmojë vazhdimisht fqinjët e tij. Por, ma merr mendja se mendësia e tij hegjemoniste, e cila është robëruar në të kaluarën dhe është vazhdimisht e fiksuar në ngacmimin e të tjerëve, një pjekuri e tillë duket shumë e paarritshme”, ka shkruar ajo.
Vuçiq, ka reaguar ashpër për oajisjen e Kosovës me dronë luftarakë kamikazë “Skydagger” të prodhuar nga kompania turke “Baykar”. Ai e ka akuzuar Turqinë se “nuk e dëshiron stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, por e ëndërron rikrijimin Perandorisë Osmane.
“Jam i tmerruar nga sjellja e Turqisë dhe shkelja brutale e Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si edhe nga armatosja e vazhdueshme e autoriteteve në Prishtinë. Tani është plotësisht e qartë se Turqia nuk e dëshiron stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe e ëndërron rikrijimin e Perandorisë Osmane. Serbia është një vend i vogël, por ne i kuptojmë qëllimet e tyre të vërteta”, ka shkruar Vuçiq në platformën X.
(r.m.)