Osmani i pret nesër kryetarët e partive, për konsultime për formimin e qeverisë

Prishtinë, 30 tetor 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka thirrur kryetarët e partive politike parlamentare në një takim të përbashkët, për të diskutuar për formimin e qeverisë së re. Presidenca e Kosovës njoftoi se takimi është ftuar për të premten, në orën 12:00.

Këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina, ka thënë se presidentja do t’u bëjë thirrje liderëve të partive parlamentare që të arrijnë një kompromis për formimin e qeverisë së re.

“Presidentja do t’i inkurajojë partitë politike të bashkëpunojnë për ta shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe në funksionimin e institucioneve të Kosovës”, ka thënë Kupina për Radio Evropa e Lirë, të martën.

Ai ka thënë se Presidentja Osmani, gjatë bisedimeve me liderët e partive politike, pritet ta theksojë rëndësinë e miratimit të buxhetit të Kosovës si dhe miratimin e Planit të Rritjes së BE-, shtoi Kupina.

Organizatat e shoqërisë civile i bënë thirrje presidentes Osmani që t’i bashkojë partitë politike për të gjetur mënyrë për miratimin e buxhetit për vitin e ardhshëm.

Takimi i Presidentes Osmani me kryetarë të partive politike vjen pasi mandatari i parë për formimin e qeverisë së re, kryetari i Lëvisjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme të deputetëve të Kuvenditt ë Kosovës.

Sipas Kushtetutës, në rast se mandatari i parë për formimin e qeverisë nuk arrin të sigurojë votat e së paku 61 deputetëve, Presidenti i vendit e ia dorëzon mandatin për formimin e qeverisë një subjekti tjetër politik që mund ta sigurojnë mbështetjen e shumicës në Kuvend dhe këtë duhet ta bëjë brenda 10 ditësh nga dështimi i mandatarit të parë.

Sipas deklaratave publike të liderëve të partive parlamentare, asnjëra nga partitë nuk ka vullnet të arrijë marrëveshje për bashkëqeverisje me partitë tjera. Liderët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të dy partive të renditura pas saj në zgjedhjet e shkurtit janë deklaruar për shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Kryetari i partisë së dytë, Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, të dielën, pas seancës së Kuvendit, e hodhi poshtë mundësinë që të bëhet mandatar i radhës, Edhe kryetari i partisë së tretë, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka përjashtuar mundësinë e përfshirjes së kësaj partie në ndonjë koalicion qeverisës.

Albin Kurti, i cili është kryeministër në detyrë, paralajmëroi zgjedhje të reja parlamentare gjatë muajit dhjetor.

(r.m.)