Osmani i shpreh mirënjohje administratës Trump për qasjen ndaj Kosovës

Uashington, 22 dhjetor 2025 – Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u takua të hënën në Uashington me Zëvendës Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Landau.

Presidenca njoftoi se Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohje për nënshkrimin e Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) nga presidenti Donald Trump. Ajo ka thënë se ky ligj shpreh mbështetjen e Shteteve të Basdhkuara për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, vizionin e Presidentit Trump që dialogu mes Kosovës e Serbisë të bazohet në njohje reciproke, për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe në NATO, sie dhe për rritjen e investimeve strategjike në Kosovë.

Presidentja Osmani, siç bën të ditur Presidenca, ka shprehur mirënjohje për “politikën e qartë të Administratës Trump që dialogu duhet të bazohet në njohje reciproke dhe për faktin që janë përjashtuar idetë e rrezikshme për ndryshime të kufijve apo ndarje”.

“Kjo qasje është e domosdoshme në mënyrë që të ruhet paqja e stabiliteti në rajonin tonë”, ka theksuar ajo.

Presidentja Osmani ka shprehur përkushtimin e Kosovës për forcimin e aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Presidentja theksoi përkushtimin e Kosovës ndaj aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gatishmërinë për të vazhduar punën e ngushtë me Administratën e Presidentit Trump, siç është reflektuar përmes heqjes së tarifave për produktet amerikane, marrëveshjes për shtetasit e vendeve të treta, linjëzimit me politikën e jashtme amerikane, harmonizimit të plotë të listës së organizatave të huaja terroriste me urdhrat ekzekutivë të Presidentit Trump, si dhe përmes veprimeve të tjera që dëshmojnë mbështetjen e Kosovës për Administratën e Presidentit Trump”, thuhet në njoftim.

Presidentja Osmani ka folur edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për situatën e sigurisë në rajon, Ajo e ka theksuar edhe rëndësinë e shtyrjes përpara të Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA, të cilin e ka cilësuar si “platformë thelbësore për forcimin e partneritetit dypalësh dhe avancimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët”.

Presidentja Osmani e ka ngritur edhe çështjen e shkeljeve të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe ka kërkuar përkrahjen e Administratës Trump për ndërprerjen e praktikës së diskriminimit nga shteti i Serbisë.

Ky ishte takimi i dytë i Presidentes Osmani me Zëvendës Sekretarin e Shtetit Christopher Landau gjatë këtij viti,

(r.m.)