Osmani kërkon hetim të plotë e transparent, përgjegjësi institucionale dhe drejtësi për rastin e vdekjes së 27-vjeçarit në Lipjan

Prishtinë, 8 korrik 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar si “ngjarje të rëndë dhe tronditëse” vdekjen e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan, gjatë arrestimit të tij nga policia e Kosovës. Ajo ka kërkuar hetim të plotë e transparent, përgjegjësi institucionale dhe drejtësi për këtë ngjarje tragjike.

“Ngjarja e rëndë dhe tronditëse e vdekjes së një të riu 27-vjeçar, rreth së cilës ekzistojnë dyshime serioze se ka ndodhur gjatë ndërhyrjes së policisë, kërkon urgjentisht transparencë të plotë, përgjegjësi institucionale dhe drejtësi të pakompromis”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

“Të gjitha rrethanat e këtij rasti duhet të hetohen menjëherë, në mënyrë të pavarur e profesionale dhe secili zyrtar që mund të ketë shkelur ligjin apo t’i ketë tejkaluar kompetencat duhet të vihet përpara drejtësisë pa asnjë vonesë”, thuhet më tutje në komunikatë.

“Askush nuk është mbi ligjin”, theksohet në përfundim të komunikatës.

Agon Zejnullahu vdiq në orët e para të mëngjesit të së hënës, pak pas arrestimit nga Policia e Kosovës, e cila kishte reaguar pas raportimeve se i ndjeri po sulmonte automjete dhe kalimtarë në rrugët e Lipjanit.

Policia, nëpërmjet një komunikate të lëshuar të martën pasdite, e ka dhënë versionin e saj për rastin dhe momentin kritik. Ajo ka thënë se tani i ndjeri “ka qenë jo bashkëpunues dhe ka tentuar të ikë”, por nuk i specifikon masat e policisë për ndalimin dhe arrestimin e tij.

“Para arrestimit të personit, zyrtarët policorë kanë komunikuar dhe negociuar me të njëjtin për 5-6 minuta, me qëllim të bindjes së tij për shoqërim në stacion policor. Po ashtu gjatë kësaj kohe mbikëqyrësi i ndërrimit ka telefonuar ndihmën e shpejtë për t’i ofruar ndihmë mjekësore personit, pasi gjatë gjithë kohës ka vërejtur gjendjen e tij shëndetësore dhe psikologjike. Në këtë rrjedhë, i njëjti ka qenë jo bashkëpunues dhe ka tentuar të ikë, por zyrtarët policorë kanë arritur ta arrestojnë. Autoambulanca me ekipin mjekësor emergjent, kanë arritur në vendin e ngjarjes brenda një kohe shumë të shpejtë (3 min), për ti dhënë ndihmën e parë personit në fjalë, ku më pas njësia emergjente ka konstatuar vdekjen e tij”, thuhet në komunikatën e policisë.

Mediet në Kosovë kanë publikuar pamje të operacionit të arrestimit të tani të ndjerit, të regjistruara nga kamerat e sigurisë të bizneseve në afërsi të vendit të ngjarjes, por në to nuk shihet qartë momenti kritik.

Vëllai i të ndjerit, Alban Zejnullahu, ka thënë se Agoni ka vdekur si pasojë e dhunës që ka ushtruar ndaj tij policia, gjatë arrestimit.

 Inspektorati Policor i Kosovës i ka arrestuar pesë zyrtarë policorë që ishin të përfshirë në këtë rast. Ata janë të dyshuasr për veprën penale “vrasje nga pakujdesia” dhe prokuroria ka kërkuar nga gjykata që atyre t’u shqiptohet masa e arrestit me burg.

Avokati i popullit dhe organizatat e shoqërisë civile kanë kërkuar hetime të plota të rastit dhe nxjerrjen para drejtësisë të fajtorëve për vdekjen e Agon Zejnullahut.

(r.m.)