Osmani kërkon mbështetjen e Hungarisë për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës

Prishtinë, 8 dhjetor 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka pritur në takim Presidentin e Hungarisë, Tamas Sulyok.

Presidentja Osmani, në një postim në rrjetet sociale, ka bërë të ditur se nga Presidenti Sulyok ka kërkuar mbështetje për heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Ajo ka thënë se integrimi i Kosovës në organizatat euro-atlantike është edhe në interes të rajonit dhe të Evropiës.

“Në takimin bilateral me presidentin Sulyok përsërita se mbështetja e Hungarisë për heqjen e masave të padrejta të BE-së, është thelbësore. Integrimi euro-atlantik i vendit tonë është në dobi të të gjithë qytetarëve tanë, të rajonit dhe të gjithë kontinentit evropian”, ka shkruar Osmani.

Bashkimi Evropian i kishte vendosur masa ndëshkuese Kosovës në qershor të vitit 2023, pas tansioneve në pjesën veriore të Kosovës. Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar vazhdimisht heqjen e këtyre masave, por Brukseli e ka kushtëzuar heqjen e tyre me normalizimin e gjendjes në pjesën veriore të Kosovës.

Bashkimi Evropian e ka mirëpritur transferimin e pushtetit lokal te kryetarët e rinj të katër komunave veriore (Mitrovicës Veriore, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut) transferim ky që u bë në mënyrë të qetë e në pajtim me legjislacionin e Kosovës. Këtë e kanë shprehur zëdhënësja e BE-së, Yuliya Matsyk, dhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav.

Matsyk ka thënë se rikthimi i Kosovës në trajektoren e reformave dhe avancimi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë janë dy kushte thelbësore për përparimin e Kosovës drejt BE-së.

“BE-ja është e gatshme të punojë me autoritetet e Kosovës sapo ato të zgjidhen dhe të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së. Ne presim që Kosova të rikthehet në rrugën e reformave të domosdoshme të lidhura me BE-në, për të mirën e popullsisë së saj dhe duke bërë përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, ka thënë Matsyk për Kohën.

(r.m.)