Prishtinë, 24 mars 2026 – Presidentja Vjosa Osmani i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës sqarime lidhur me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pasi partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka kërkuar t’i ketë tre anëtarë.
Kabineti i Presidentes Osmani tha se partitë parlamentare kanë propozuar më shumë kandidatë se sa parashikohet me Kushtetutë dhe se Presidentja do t’i emërojë anëtarët e KQZ-së “sapo të marrë përgjigje” nga Gjykata Kushtetuese.
“Në rrethanat aktuale janë bërë më shumë propozime nga grupet parlamentare sesa që parashikohet me Kushtetutë, prandaj duhet ta sqarojë këtë çështje Gjykata para se të vijohet tutje”, thuhet në përgjigje.
Më 9 mars, Presidentja Osmani u kishte kërkuar partive parlamentare t’i propozonin kandidatët e tyre për anëtarë të KQZ-së. Partitë kishin kohë deri më 16 mars t’i përgjigjen kërkesës së Presidentes, e cila kishte pesë ditë kohë për t’i dekretuar ose jo kandidatët e propozuar në partitë parlamentare.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) i ka propozuar tre kandidatë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – dy kandidatë, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – një kandidat. LVV, e cila i ka pasur dy përfaqësues në përbërjen e kaluar të KQZ-së, tani i ka propozuar tre kandidatë, me arsyetim se kaq vende i takojnë asaj sipas rezultatit të zgjedhjeve të fundit parlamentare.
KQZ-ja, organ i pavarur, përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë, përbëhet nga 11 anëtarë – 10 anëtarë dhe kryetari.
Sipas Kushtetutës, gjashtë anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare shqiptare, një anëtar emërohet nga deputetët të cilët mbajnë vende e garantuara për komunitetin serb dhe tre anëtarë nga deputetët që mbajnë vende të garantuara për komunitetet e tjera joshumicë. Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë, sipas Kushtetutës.
Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, emërimi i anëtarëve të KQZ-së duhet të bëhet jo më vonë se 60 ditë pas certifikimit të rezultateve.
(r.m.)