Osmani konsultohet me liderët politikë për datën e zgjedhjeve të rregullta parlamentare

Prishtinë, 31 korrik 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar sot me liderët e partive politike për të diskutuar për datën e zgjedhjeve të rregullta parlamentare.

Pas takimit, ajo ka thënë se data e zgjedhjeve të rregullta parlamentare do të caktohet pasi të jenë analizuar të gjitha datat dhe detajet tjera për mbajtjen e tyre.

“Ky vendim nuk është marrë, sepse duhet t’i analizojmë diskutimet që i kishim me kryetarët e partive”, tha Osmani gjatë konferencës për media pas takimit.

Presidentja Osmani ka thënë se liderët e partive kanë preferenca të ndryshme sa i përket datës së zgjedhjeve.

“Nuk kishte insistim të tepërt nga partitë. Kishte më shumë preferenca… Disa parti e preferuan 26 janarin, ka tri a katër të tjera e preferuan 9 shkurtin, kurse dy a tri të tjera 16 shkurtin. Kishte edhe parti që nuk kishin fare preferenca”, ka thënë ajo.

Sipas afateve të përcaktuara me ligjet në fuqi, zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë duhet të mbahen midis 26 janarit e 16 shkurtit.

Në takim morën pjesë: kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, krtetarja e partisՃ Alternativa, Mimoza Kusari-Lila, bashkëkryetari i partisë GUXO, Faton Peci, dhe kryetarët e partive të minoreteve.

Në takimin nuk ishin të pranishëm lideri i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listës Serbe, Zllatan Elek.

Presidentja Osmani ka thënë se nuk i di arsyet e mungesës së Kurtit. Ajo u ka sugjeruar gazetarëve që këtë pëgjigje ta kërkojnë nga Kurti.

“Sot nuk ka qenë prezent kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk i dimë arsyet besoj mund ta pyesni drejtpërdrejt atë, po supozoj se është në zyrë. Kështu që mund të shkoni dhe ta pyesni”, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani ka thënë se nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka shprehur gatishmërinë ta përfaqësojë partinë, por atij i është shpjeguar se në takim ishin ftuar kryetarët, prandaj ai nuk ka shkuar fare në takim.

“Siç e dini, të gjitha partitë kanë qenë të ftuara në nivel kryetarësh. Nënkryetari Glauk Konjufca ka shprehur gatishmëri të plotë të vijë në takim. Por, pasi partitë kanë qenë vetëm në nivel kryetarësh, e kemi mbajtur parimin për të gjithë dhe Konjufca e ka respektuar me mirëkuptim”, është shprehur ajo..

“Unë i ftoj një herë në katër vjet për zgjedhje të rregullta, mirëpo secili kryetar i partisë i zgjedh prioritetet e veta”, ka thënë ajo.

Zyra e Kryeministrit tha se Kurti ishte në një drekë me ambasadorët, e cila ishte aranzhuar para tri javësh. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se Kurti është i gatshëm të marrë pjesë në këto takime “në një ditë dhe orë të përshtatshëm”.

“Kryeministri po merr pjesë në një drekë me 21 ambasadorë të akredituar në Kosovë, ku është i ftuar si mysafir nderi. Dreka është caktuar më 10 korrik. Konfirmimi nga ana e kryeministrit për këtë drekë është bërë para tri jave. Në pamundësi për të marrë pjesë në orarin e propozuar, kryeministri Kurti ka sugjeruar që LV të përfaqësohet nga nënkryetari i parë i saj, Glauk Konjufca, gjë që konsiderojmë që do të duhej të ishte e pranueshme. Kryeministri Kurti është i gatshëm të marrë pjesë në çdo takim të ardhshëm, në një ditë dhe orë të përshtatshme”, ka thënë Kryeziu në një përgjigje për KOHËN.

(r.m.)