Osmani: Kosova do t’i jetë përgjithmonë mirënjohëse Zvicrës

Bernë, 21 maj 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot (e mërkurë) nga presidentja e Konfederatës Zvicerane, Karin Keller-Sutter, në rezidencën zyrtare e Këshillit Federal të Zvicrës, Lohn Manor.

Presidentja Osmani e ka vlerësuar këtë pritje si dëshmi se Zvicra dhe Kosova po e shkruajnë “kapitullin e ri të historisë së partneritetit midis shteteve dhe popujve tanë”

“Faleminderit për mikpritjen, miqësinë dhe nderimin, presidente Keller-Sutter! Kjo vizitë e parë shtetërore në Zvicër që po fillon në rezidencën zyrtare të Këshillit Federal të Zvicrës është dëshmi se bashkë po shkruajmë kapitullin e ri të historisë së partneritetit midis shteteve dhe popujve tanë!” – ka shkruar Osmani në Facebook.

Presidentja Osmani, në një fjalim para Këshillit Federal të Zvicrës, ka shprehur mirënjohje për përkrahjen e Zvicrës për Kosovën për liri e pavarësi dhe për shtetndërtim. Ajo ka thënë se Kosova dhe Zvicra kanë ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme miqësore që nga mbështetja e përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri. 

“Pikërisht këtu, në Zvicër, kanë gjetur përkrahje dhe mbrojtje shumë nga përpjekjet e Kosovës për liri. Kosova do jetë përgjithmonë mirënjohëse”, ka theksuar ajo.

Presidentja Osmani ka thënë se Kosova i është mirënjohëse Zvicrës edhe për mbështetjen e procesit të shtetndërtimit.

“Në Kosovë ne jemi mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme, stabile të Zvicrës që na ka ndihmuar në rrugëtimin tonë demokratik. Zëri i Zvicrës ka qenë i qartë shumë herë sepse kur u bë vendi më i ri në Evropë për të folur hapur se zgjidhja e vetme që do sillte paqe afatgjate ishte pavarësia, liria. Në atë kohë ishte vetëm Zvicra që e përkrahte, por ajo nuk është ndalur, ka vazhduar me përkrahjen. Na keni ndihmuar në rindërtimin e shtetit që është ngritur nga hiri pas luftës së tmerrshme”, ka thënë ajo.

Presidentja e Konfederatës Zvicerane, Karin Keller-Sutter, e ka vlerësuar punën e qytetarëve të Kosovës që kanë migruar në Zvicër. Ajo ka thënë se brezi i dytë dhe i tretë është integruar plotësisht në shoqërinë zvicerane.

“Brezi i dytë dhe i tretë i shtetasve të Zvicrës me prejardhje nga Kosova sot e quajnë Zvicrën shtëpi të tyre. Ata janë bërë pjesë e shoqërisë sonë, si në futboll, në mësimdhënie, në mekanikë apo në politikë. Të gjithë kanë ndihmuar ta ndërtojnë kombin tonë për dekada. Historitë e tyre të suksesit janë po ashtu histori të suksesit të Zvicrës”, ka theksuar Presidentja e Konfederatës Zvicerane, Karin Keller-Sutter.

(r.m.)

Comment

*