Prishtinë, 15 nëntor 2024 – Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, tha të premten se zbatimi i detyrimeve të dala nga Marrëveshja e Brukselit nuk mund t’i kërkohet vetëm Kosovës, derisa Serbia tërhiqet prej tyre.
“Marrëveshja bazike, e cila është arritur në Bruksel, dhe Aneksi i Ohrit parashohin obligime për të dyja palët. Nuk mund të kërkohet zbatim i detyrimeve vetëm për njërën palë, kurse pala tjetër, pra Serbia, e cila edhe formalisht është tërhequr nga marrëveshja, të rrijë kinse nuk e ka asnjë detyrim. Marrëveshja ka kuptim vetëm në qoftë se të dyja palët e zbatojnë. Pra, në këtë rast, Kosova ka ndërmarrë detyrime jashtëzakonisht të dhimbshme do të thosha nëpërmjet neneve të caktuara të kësaj marrëveshjeje, mirëpo ato kanë kuptim vetëm në qoftë se edhe Serbia zbaton marrëveshjen”, tha Presidentja Osmani.
Por, ajo nuk e përjashtoi mundësinë e zbatimit të njëanshëm të marrëveshjes në këmbim të garancive ndërkombëtare për sigurinë, për njohje të reja dhe për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
“Në qoftë se partnerët tanë ndërkombëtarë janë të interesuar që ne te ulemi me ta dhe zbatimi i marrëveshjeve nga ana e Kosovës të lidhet me përkrahjen ndërkombëtare, pra garanci të sigurisë, njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kjo është një situatë e re”, tha ajo.
Presidentja Osmani theksoi se kjo është vetëm ide e saj personale dhe jo qëndrim i institucioneve të vendit, duke shtuar se me një qasje e tillë, Kosova ka përfituar në të kaluarën.
“Është qëndrim vetëm i imi, jo domosdoshmërisht i institucioneve të tjera. E kam thënë, ka të bëjë me mënyrat të cilat ne i kemi shfrytëzuar në vitin 2007-2008. Atëherë kur Serbia nuk e zbatonte (Planin e Martti Ahtisaarit), ne e kemi pasur marrëveshjen tonë me partnerët, me aleatët, Kosova e kishte zbatuar Pakon e Ahtisaarit në mënyrë të njëanshme. Ajo çfarë kishte përfituar (Kosova) ishte pavarësia, ishin njohjet, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare”, u shpreh ajo.
Presidentja Osmani se Drafti i Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili është hartuar nga Bashkimi Evropian, nuk mund t’i dërgohet për vlerësim Gjykatës Kushtetuese të Kosovës derisa ai nuk miratohet nga Qeveria e Kosovës si akt juridik.
“Para se të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese drafti i Statutit duhet të miratohet si akt juridik nga ana e Qeverisë. Pa një akt të tillë, askush nuk mund ta dërgojë draftin e Statutit në Gjykatë Kushtetuese. Procedurat janë të qarta. Gjykata (Kushtetuese) e ka sqaruar procedurën”, tha ajo.
Presidentja Osmani i cilësoi si përpjekje për destabilizimin e Kosovës përpjekjet e Serbisë për shtrirjen e juridiksionit të gjykatave serbe në Kosovë.
“Këto janë tendenca, janë taktika për ta destabilizuar Kosovën dhe rajonin. Kjo dëshmon më së miri se Serbia vazhdon Akoma me mendësinë e viteve të 90-ta, një mendësi e cila synon t’i destabilizojë shtetet fqinje. Megjithatë, realiteti është i pakthyeshëm dhe i pandryshueshëm dhe Serbia nuk mund të arrijë asgjë me këtë”, theksoi ajo.
Presidentja Osmani shpjegoi se Serbia nuk ka asnjë juridiksion mbi Kosovën që nga viti 1999.
“Edhe ende pa u shpallur Kosova e pavarur në vitin 2008, Rezoluta 1244 ia ka marrë çdo lloj juridiksioni në atë kohë (ish-)Jugosllavisë. Fillimisht i ka bartur kompetencat te prezenca civile dhe ushtarake, nga viti ‘99 deri në vitin 2008, kurse nga viti 2008 e tutje, i vetmi shtet që ka juridiksion mbi këtë territor është Republika e Kosovës, gjë që është konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”, shpjegoi ajo.
(r.m.)