Osmani: Kosova po e zbaton ligjin, Serbia po kërcënon me dhunë

Prishtinë, 27 tetor 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova, me zbatimin e vendimit për riregjistrimin e automjeteve, po e zbaton ligjin, ndërsa Serbia po e kërcënon me dhunë.

“Serbia po kërcënon me dhunë pse Kosova po zbaton ligjit. Kjo është ajo piktura e madhe që të gjithë duam ta shohim. Mbi të gjitha është çështje e sundimit të ligjit, çështje e respektimit të parimeve dhe standardeve më të larta ndërkombëtare, të cilat Kosova po i respekton. E tëra që po bëjmë është që po e zbatojmë ligjin dhe po i mbrojmë të gjithë qytetarët pa dallim. Dhe, si pasojë e kësaj, Serbia po kërcënon me dhunë, me barrikada, të cilat, siç e dini, janë shkelje e lirisë së lëvizjes”, ka thënë ajo të enjten, në një konferencë për media bashkë me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Prishtinë.

Presidentja Osmani e ka ngritur si shqetësim djegien e automjeteve dhe të pronave të qytetarëve serbë të cilët po i konvertojnë targat ilegale të automjeteve  të tyre me targat legale, RKS. Ajo ka cilësuar ato si ”veprime të strukturave ilegale”.

“Ka një kohë që qytetarëve serbë që po e zbatojmë ligjin, pra që po i konvertojnë targat, po u digjen shtëpitë e makinat. Rasti i fundit ka ndodhur mbrëmë. Gjithë këto veprime të strukturave ilegale e kriminale që janë në listën e zezë të SHBA-së, po dëshmojnë që kjo është çështje e sundimit të ligjit”, ka theks uar ajo.

Presidentja Osmani ka theksuar se zëvendësimi i targave nuk është assesi kundër qytetarëve serbë.

“Kosova është konfirmuar si shteti me reformat më të mëdha në gjithë Evropën në fushën e sundimit të ligjit. Kjo dëshmon që veprimet tona kanë qenë të drejta, e janë për sundim të ligjit e barazi të të gjithëve, assesi kundër qytetarëve tanë serbë”, është shprehur ajo.

Presidentja Osmani ka thënë se Prishtina do të punojë ngushtë me faktorin ndërkombëtar që të parandalohen skenarët destabilizues në rajon.

“Lufta jonë është kundër bandave, dhe presim që të kemi përkrahjen e aleatëve tanë edhe në BE edhe në SHBA”, ka theksuar ajo.

(r.m.)