Prishtinë, 20 tetor 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar të panevojshme ankesën e Listës Serben ë Gjykatën Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e Nenad Rashiqit nënkryetar të Kuvendit të Kosovës. Ajo e ka cilësuar këtë veprim të kësaj partie serbe që kontrollohet nga Beogradi zyrtar si përpjekje për të vonuar formimin e qeverisë së re të Kosovës.
“Totalisht e panevojshme. Ju e dini që ka pasur vonesa të jashtëzakonshme në krijimin e institucioneve. Besoj se kjo është një tentim tjetër për vonesa të cilat, siç e dini, e kanë dëmtuar interesin e Kosovës”, ka thënë ajo.
“Është në interes të Kosovës që tash që Kuvendi është i konstituar në përputhje me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, sa më parë të kemi një qeveri me mandat të plotë”, ka shtuar ajo.
“Vonesa që po tentohet të krijohet nga Lista Serbe i dëmton interesat jo vetëm të Kosovës si shtet, por edhe të gjithë qytetarëve që jetojnë, përfshirë serbëve në Kosovë”, ka theksuar Osmani.
Megjithatë, ajo ka thënë se është në dorën e Gjykatës Kushtetuese të vendosë në lidhje me ankesën e Listës Serbe.
“Gjykata Kushtetuese e ka lirinë dhe pavarësinë e plotë që të vendosë në përputhje të plotë me Kushtetutën. Unë nuk mund të supozoj se cili do të jetë vendimi final i gjykatës në lidhje me kërkesën e Listës Serbe. Vrojtimi im është në kontekstin politik dhe të drejtave të qytetarëve tanë. Çdo vonesë tutje i shkel të drejtat e qytetarëve tanë”, ka theksuar ajo.
E para e vendit ka thënë se procesi i formimit të koalicioneve qeverisëse është çështje e partive politike dher se ajo nuk mund të ndërhyjë në këtë çështje.
“Krijimi i qeverisë pastaj varet tërësisht nga koalicionet mes partive politike dhe aty nuk mund të ndërhyjë. Është në interes të të gjithë qytetarëve tanë, pa dallim etnie, që të kemi institucione me mandat të plotë kushtetues”, ka thënë ajo.
Osmani, ndonëse është pajtuar se procesi i krijimit të institucioneve është vonuar tepër shumë, ka thënë se ende ka kohë që qeveria e re të krijohet brenda afatit kushtetues.
“Unë nuk do të ngutesha të jap supozime se do të dështojë krijimi i Qeverisë. Ka edhe pak kohë”, ka thënë ajo.
Presidentja Osmani e ka dekretuar mandatar për formimin e qeverisë së re Albin Kurtin, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, partisë më të madhe në Kuvendin e Kosovës, e cila i ka 48 deputetë. Tetë deputetë të subjekteve politike të komuniteteve joshumicë e kanë deklaruar publikisht vullnetin e tyre për të qenë pjesë e koalicionit qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje, por kësaj partie i duhen edhe së paku pesë vota, të cilat i mungojnë, së paku tash për tash. Në këtë situatë, Kurtit i mbetet t’i sigurojë këto vota nga partitë politike shqiptare ose mandatin për krijimin e qeverisë së re t’ia kthejë Presidentes, e cila mund t’ia dorëzojë pastaj cilësdo parti politike që mund t’i sigurojë votat e nevojshme për krijimin e qeverisë.
(r.m.)