Osmani: Më 2 korrik 1990 u hodhën themelet e Republikës së Kosovës

Prishtinë, 2 korrik 2025 – Në ditën e sotme, më 1990, 114 delegatë të Kuvendit të Kosovës e miratuan Deklaratën Kushtetuese, e cila e legalizoi vullnetin politik të popullit të Kosovës për pavarësi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një deklaratë për këtë ngjarje të rëndësishme të historisë së përpjekjeve për realizimin e aspiratës së popullit të Kosovës, ka thënë se me Deklaratën Kushtetuese u hodhën themelet e Republikës së Kosovës.

Ajo ka theksuar se delegatë të Kuvendit të Kosovës që e kanë miratuar Deklaratën Kushtetuese meritojnë të nderohen si “trasues të ëndrrës për Kosovën e lirë dhe sovrane”.

Deklarata Kushtetuese u miratua para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, pasi autoritetet serbe e penguan me dhunë hyrjen e delegatëve në ndërtesë, për të parandaluar këtë akt madhor historik.

Deklarata e plotë e Presidentes Osmani:

2 Korriku i vitit 1990, dita kur u hodhën themelet e Republikës

Sot kujtojmë me krenari Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, të shpallur nga 114 delegatë të Kuvendit të Kosovës para dyerve të këtij institucioni të mbyllura dhunshëm nga regjimi kriminal i Serbisë.

Me këtë akt historik, i cili i parapriu Kushtetutës së Kaçanikut më 7 shtator, gra e burra, sfiduan regjimin dhe i dhanë zë vullnetit të popullit për Kosovën Republikë, duke e hapur rrugën drejt pavarësisë dhe lirisë.

Kjo ditë guximi dhe vizioni mbetet themel i shtetësisë sonë.

Nderim i përhershëm për delegatët e 2 Korrikut, trasuesit e ëndrrës për Kosovën e lirë dhe sovrane.

(r.m.)

Comment

*