Prishtinë, 18 prill 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka përshëndetur miratimin e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës nga Parlamenti Evropian.
Presidentja Osmani, në një deklaratë për publikun, e ka cilësuar vendimin e Parlamentit Evropian si fitore për Kosovën, por edhe për demokracinë dhe unitetin në Evropë.
“Ky vendim është meritë e popullit të Kosovës, vendosmërisë së pashembullt të treguar përgjatë viteve, pavarësisht vonesave dhe padrejtësive të ndryshme.
Më 1 janar 2024, qytetarët tanë më në fund do të ndihen të barabartë me popujt tjerë evropian, për të lëvizur lirshëm në kontinentin që ata i përkasin, e për të cilin kanë kontribuar ndër shekuj.
Tanimë, lëvizja në shtetet evropiane është më e lehtë, familjet tona janë më afër dhe mundësitë për avancim e bashkëpunim më të mëdha”, ka shkruar Presidentja Osmani.
(r.m.)