Osmani: Mërgata – burim i stabilitetit socio-ekonomik në Kosovë

Prishtinë, 18 maj 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka vlerësuar lart kontributin e mërgatës për lirinë e pavarësinë dhe për stabilitetin socio-ekonomik në Kosovë.

Në konferencën “Diaspora Flet”, që u mbajt të enjten në Prishtinë, Presidentja Osmani ka thënë se mërgata e Kosovës ka qenë mbështetëse shumë e fortë e përpjekjeve për liri, pavarësi e shtetndërtim, ndërsa sot është burim i stabilitetit socio-ekonomik në Kosovë.

“Mërgata jonë është sublimim i përpjekjeve të gjata e të kahershme për liri, pavarësi dhe për shtetndërtim. Sot mërgata jonë është burim i stabilitetit socio-ekonomik në Republikën e Kosovës. Mërgata jonë edhe sot bën aq shumë për ne. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, mbi 3 miliardë euro është shuma e të hyrave nga mërgata gjatë vitit 2022. Kjo përbën një mbështetje të madhe jo vetëm për ekonomitë familjare, por mbi të gjitha për shtetin”, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani ka shtuar se mërgata kosovare është gjithashtu afirmuese e vlerave që e karakterizojnë shtetin dhe kombin.

“Mërgata jonë është afirmuese e vlerave që na karakterizojnë, si komb dhe si shtet. Platformat si kjo sot janë mundësi e shkëlqyer për të nxitur bashkëpunimin dhe ndërveprimin mes nesh, por, mbi të gjitha, për ta mbështetur njëri-tjetrin. Është thelbësore që ne, si shtet dhe si shoqëri, ta çmojmë mërgatën tonë”, ka theksuar ajo.

(r.m.)