Osmani merr pjesë në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes

Davos, 22 janar 2026 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka arritur sot në Davos, në Zvicër. Ajo ka bërë të ditur se në Davos ka udhëtuar me ftesë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për të marë pjesë në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes.

“Mirëmëngjes nga Davos, ku jemi me ftesë të Presidentit Trump, në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes”, ka shkruar Osmani në rrjetet sociale.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar të mërkurën se nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka pranuar ftesën që Kosova të bëhet pjesë e Bordit të Paqes si shtet anëtar themelues.

“Kam nderin e madh mua t’ju ftoj që, si Presidente e Republikës së Kosovës, të më bashkoheni në përpjekjet kritike historike dhe madhështore për forcimin e paqes në Lindjen e Mesme, njëkohësisht për të ndërmarrë një nismë të re të guximshme për zgjidhjen e konflikteve globale”, thuhet në letrën e presidentit Trump dërguar Presidentes Osmani.

Trump e ka ftuar Presidenten Osmani ta përfaqësojë Kosovën në mbledhjen themeluese të Bordit të Paqes.

“Si kryesues i Bordit, unë e ftoj zyrtarisht Republikën e Kosovës të bëhet pjesë e Bordit të Paqes si shtet anëtar themelues, i përfaqësuar nga ju. Ky Bord do të jetë i vetmi i këtij lloji, nuk ka pasur kurrë diçka të tillë. Çdo shtet anëtar mund të caktojë një përfaqësues të autorizuar për të marrë pjesë në mbledhje në emër të tij”, shkruan ndër të tjera Trump.

Presidentja Osmani ka thënë se është “thellësisht e nderuar” që nga Presidenti Trump ka marrë ftesë për ta përfaqësuar Kosovën në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese. Ajo e ka cilësuar si “iniciativë historike” nismën e Presidentit Trump për paqe globale dhe ka theksuar se Kosova është “aleate e palëkundur” e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta çuar më tej paqen.

“Jam thellësisht e nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me SHBA-të në misionin për një botë më të sigurt.

Lidershipi i guximshëm nuk flet thjesht për paqe, ai e ndërton atë. Pikërisht këtë po e bën Presidenti Trump nëpërmjet kësaj iniciative historike.

Ashtu si Amerika që solli paqe në Kosovë, sot Kosova qëndron si aleat i palëkundur i saj për ta çuar paqen më tej. Historia i mban mend ata që bëjnë hapa të guximshëm në ndërtimin e paqes – dhe ne jemi gati”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale.

(r.m.)