Osmani mirëpret miratimin e Aktit të Vlerësimit të Diskriminimit në Luginën e Preshevës në Komitetin e Punëve të Jashtme të Kongresit amerikan

Prishtinë, 26 janar 2026 – Presidentja e Kosovës, Vhosa Osmani, ka thënë se shtyrja përpara e Projektligjit për vlerësimin e diskriminimit në Luginë të Preshevës dërgon mesazhin se diskriminimi i komunitetit shqiptar në Serbi nuk është më i padukshëm ose i tolerueshëm

“Përparimi i Aktit të Vlerësimit të Diskriminimit në Luginën e Preshevës në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së dërgon një mesazh të qartë: diskriminimi sistematik kundër komunitetit shqiptar në Serbi nuk është më i padukshëm ose i toleruar”, ka shkruar Osmani në një postimi në platformën X.

“Serbia vazhdimisht ka kryer shkelje autoritare të të drejtave të minoriteteve, përfshirë fushatën e pasivizimit të qëllimshëm për pastrim etnik përmes mjeteve administrative, shtypjen e gjuhës shqipe, mospërfshirjen në institucionet publike, diskriminimin në arsim, margjinalizimin ekonomik dhe frikësimin nga autoritetet qendrore”, ka theksuar ajo.

Presidentja e Kosovës ka falënderuar anëtarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Keith Self, që e ka sponsorizuar projektligjin, kryetarin e Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Brian Mast, si dhe anëtarët e tjerë të këtij trupi që votuan për “avancimin e projektligjit me mbështetje dypartiake”.

Projektligji për Luginën e Preshevës, i cili u miratua nga Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit më 21 janar, i kërkon sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, të përgatisë një raport gjithëpërfshirës për trajtimin e pakicave etnike në Serbi, veçmas të shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Pasi ta kalojë shqyrtimin e plotë, ky projektligj do t’i dërgohet për miratim Dhomës së Përfaqësuesve e pastaj edhe Senatit. Projektligji hyn në fuqi pasi të nënshkruhet nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Ky projektligj kërkon të vlerësohen çështje me rëndësi, përfshirë pasivizimin e adresave të shqiptarëve, kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike, diskriminimin në arsim, përfshirë mosnjohjen e diplomave të Kosovës dhe mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.

Çështja e diplomave është rregulluar me disa marrëveshje të arritura në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe me një marrëveshje mes vendeve të Ballkanit Perëndimor në samitin në kuadër të Procesit të Berlinit. Kosova i ka respektuar këto marrëveshje.

Shqiptarët në Luginë shpesh janë ankuar dhe kanë protestuar kundër pasivizimit të adresave nga autoritetet serbe. Pasivizimi i adresave rezulton me humbjen e shtetësisë së Serbisë si edhe të të gjitha të drejtave qytetare, përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar.

Kjo çështje është përmendur edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi, për vitin 2023.

Shqiptarët që jetojnë në jug të Serbisë ankohen edhe për mungesë të teksteve shkollore në gjuhën shqipe, gjë për të cilën Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete financiare. Kosova i ka ndihmuar ata edhe në sektorë të tjerë, sikurse bujqësia, por është ankuar se Serbia po i bllokon pagesat.

Avancimi i projektligjit është mirëpritur nga politikanë shqiptarë dhe nga Këshilli Kombëtar Shqiptar në Serbi.

(r.m.)