Dayton, 26 maj 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur një fjalim në sesionin pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s që po mbahet në Dayton të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidentja Osmani, ndër të tjera, e ka vlerësuar ndërhyrjen e NATO-s për mbrojtjen e popullit të Kosovës nga agresori serb në vitin 1999 dhe përkushtimin për ruajtjen e paqes në Kosovë edhe sot e kësaj dite.
Ajo ka theksuar se Kosova ka besim të plotë në vendosmërinë e palëkundur të aleancës për ruajtjen e paqes.
“Në Kosovë ne besojmë në fuqinë e transparencës së kësaj Aleance, jo vetëm për fuqinë ushtarake, jo vetëm për arritjet strategjike, por për angazhimin e palëkundur për paqen”, ka thënë ajo.
Presidentja Osmani ka thënë se edhe Kosova po investon gjithnjë e më shumë në kapacitetet e saj mbrojtëse dhe e gatshme të kontribuojë në mënyrë aktive për sigurinë ndërkombëtare. Ajo ka theksuar se tashmë ka ardhur koha që NATO “t’ia hapë dyert” Kosovës.
“Kosova po e bën pjesën e saj të punës. Është koha që NATO t’ua hap dyert partnerëve si Kosova,” ka theksuar ajo.
Presidentja e Kosovës ka folur edhe për sigurinë globale. Ajo ka thënë se agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës dëshmon se paqja nuk është e garantuar dhe ka theksuar rëndësinë e angazhimit të përbashkët në mbrojtje të vlerave demokratike dhe të stabilitetit ndërkombëtar.
Presidentja Osmani është takuar në Dayton edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Gjatë takimit është biseduar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe për rolin e misionit të NATO-s në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe në rajon.
Fjalimi i plotë i Presidentes Osmani në Asamblenë Parlamentare të NATO-s në Dayton, SHBA.
(r.m.)