Osmani në FSK: Sfidat do të rriten, forcimi i kapaciteteve mbrojtëse është domosdoshmëri

Prishtinë, 28 dhjetor 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar ka vizituar Komandën e Forcave Tokësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kazermën “Ushtarët e NATO-së” në Istog.

Në një fjalim para oficerëve të FSK-së, ajo ka thënë se sfidat për paqen e sigurinë po rriten, prandaj forcimi i kapaciteteve  mbrojtëse po bëhet domosdoshmëri.

“Viti që po e lëmë pas u përcoll me sfida, jo vetëm për ne, por edhe për botën. Duhet të jemi të vetëdijshëm që sfidat do të rriten krahas me përpjekjet e regjimeve autoritare e hegjemoniste për të sfiduar paqen dhe rendin botëror… Prandaj, sot, më shumë se kurrë, na duhet devotshmëri ndaj atdheut, vigjilencë e përkushtim për mbrojtjen e Republikës sonë”, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani ka kërkuar nga ushtarakët gatshmëri dhe përgatitje për t’i dalë zot atdheut, në çdo sfidë me të cilën mund të përballet.

“Qëndroni të gatshëm dhe të përgatitur për t’i dalë zot Atdheut. Të gjithë atyre që synojnë ta sfidojnë paqen dhe sigurinë tonë, dua t’ua përkujtoj se nuk ka asgjë që arrin ta mundë vullnetin e një populli që të jetojë në liri dhe i pavarur. Këtë e kemi dëshmuar në vitet ’90. Ushtria Çlirimtare, edhepse e vogël në numër përballë ushtrisë gjenocidiale serbomadhe, e dëshmoi guximin për të luftuar për çlirimin atdheut dhe e tregoi shpirtin luftarak që rezultoi me lirinë që e gëzojmë ne sot, lirinë të cilën do ta mbrojmë me çdo kusht”, ka thënë ajo.

“Djemtë dhe vajzat e Forcës sonë janë të gatshëm për të ruajtur integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit tonë”, ka theksuar ajo.

Presidentja Osmani e ka vlerësuar lart punë, përkushtimin dhe disiplinën e pjesëtarëve të FSK-së.   

“Ju shquheni për përkushtimin ndaj vendit, për nivelin profesional, për disiplinën dhe përkushtimin ndaj ndaj detyrës, për nderin ndaj vendit tuaj. “Kjo gatishmëri e juaja për ta mbrojtur vendin nga çdo rrezik që mund t’I kanoset atij na bën shumë krenarë”, ka theksuar Presidentja Osmani, duke  iu drejtuar pjesëtarëve të FSK-së.

Presidentja Osmani ka thënë se Kosova, së bashku me partnerët e saj dhe me ndihmën e tyre, do të vazhdojë të punojë për anëtarësim në NATO. 

“Kemi detyrim ndaj grave dhe burrave që e kanë dhënë jetën për liri të dëshmojmë se meritojmë të zëmë vend në Aleancën Veri-Atlantike dhe t’i tregojmë botës se jemi gati, jo vetëm për ta mirëmbajtur paqen, por edhe për ta mbrojtur atë në çdo kohë e në çdo cep të globit’, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani, si Komandante e Përgjithshme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjatë kësaj vizite, ishte e veshur me uniformën e kësaj force.

(r.m.)