Osmani: Mbështetja e aleatëve është jetike për integrimin e Kosovës në institucionet euro-atlantike

Uashington, 11 korrik 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka marrë pjesë në një tryezë të organizuar nga Këshilli Atlantik, ku është diskutuar për orientimet strategjike të politikës së jashtme të Kosovës.

Presidentja Osmani, në një postim në Facebook, ka bërë të ditur se në tryezë, ku kanë marrë pjesë diplomatë dhe ekspertë të politikës së jashtme ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së aleatëve për integrimin e Kosovës në institucionet euro-atlantike.

Ajo e ka cilësuar jetike për Kosovën anëtarësimin në NATO dhe forcimin e aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Gjatë vizitës në Washington D.C., kishim një tryezë diskutimi me diplomatë dhe ekspertë lidhur me synimet strategjike të politikës së jashtme të Kosovës, përfshirë anëtarësimin në NATO, si dhe përkushtimin për forcimin e aleancës sonë me Shtetet e Bashkuara. Në rrugën e Kosovës drejt institucioneve euroatlantike, mbështetja e partnerëve e aleatëve tanë është jetike”, ka shkruar ajo.

Të enjten, Presidentja Osmani është takuar me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau, ku kanë diskutuar për bashkëpunimit ekonomik midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pas takimit, ajo ka thënë se Kosova “qëndron krah për krah me Shtetet e Bashkuara për të ndërtuar kapituj të rinj të bashkëpunimit strategjik, në përputhje me vizionin e fortë të Presidentit Trump”.

(r.m.)