Prishtinë, 17 korrik 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi sot në Prishtinë se në fund të muajit maj ka pranuar informacione nga institucionet e sigurisë për një përshkallëzim të mundshëm të situatës nga Serbia.
“Në fund të majit kemi marrë informacione për veprimet e Serbisë pranë kufirit me Kosovën. Këto janë informata të besueshme nga institucionet tona të sigurisë”, deklaroi Osmani.
Ajo tha se institucionet kompetente i kanë ndërmarrë të gjitha masat për mbrojtjen e vendit nga çfarëdo rreziku dhe theksoi se aktualisht në Kosovë nuk ka arsye për shqetësim.
“I siguroj qytetarët e Kosovës se nuk ka arsye, as për shqetësim dhe as për panik, sepse institucionet tona janë në krye të detyrës për mbrojtjen e kufijve dhe të sigurisë të të gjithë qytetarëve tanë. Kërcënimet nga Serbia janë të vazhdueshme, megjithatë institucionet tona kanë gjithçka në kontroll”, u shpreh Presidentja Osmani.
Ajo tha se informatat për tendencat destabilizuese të Serbisë janë ndarë me publikun sa herë që ka qenë e mundur, por disa prej tyre nuk mund të publikohen për shkak se bëjnë pjesë në informacionet e klasifikuara, publikimi i të cilave është i ndaluar me ligj.
Presidentja Osmani i shpjegoi edhe deklaratat e saj lidhur me rrezikun e përshkallëzimit të situatës midis Kosovës e Serbisë. Ajo ajo tha se në Uashington ajo i ka konfirmuar deklaratat e presidentit amerikan, Donald Trump se ai e ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm nga Serbia në Kosovë, siç është shprehur ai vetë, “në javët e fundit”.
Ajo i hodhi poshtë akuzat e të dërguarit të presidentit amerikan për Misione të Posaçme, Richard Grenell, se po manipulon me deklaratat e Presidentit Trump, duke theksuar se ajo nuk i ka intepretuar deklaratat e Trumpit, por i ka cituar ato.
“Nuk i kam interpretuar deklarata të presidentit Trump, por kam treguar se si i kam kuptuar unë, si presidente e Republikës së Kosovës”, theksoi Osmani.
“Unë jam përgjigjur në pyetje dhe i ftoj vetë qytetarët e Kosovës që t’i dëgjojnë ato deklarata për të cilat unë jam pyetur. Ndër të tjera është deklarata e datës 25 qershor 2025, mund t’i dëgjoni vetë”, tha ajo, duke cituar tri deklarata të Presidentit Trump nga transkriptet e Shtëpisë së Bardhë.
“Ne e vlerësojmë rolin e presidentit Trump si paqebërës ditë e natë për paqen në botë. E vlerësojmë jashtëzakonisht këtë kontribut”, theksoi ajo, duke shpërfillur komentet e të tjerëve.
Presidentja Osmani i hodhi poshtë deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se Serbia nuk është e interesuar për përshkallëzim të situatës në Kosovë.
“Deklarimet e Serbisë se nuk dëshirojnë përshkallëzim janë pjesë e propagandës së tyre të zakonshme. Të njëjtat fjalë i kanë thënë edhe para agresionit në Banjskë në vitin 2023 dhe para sulmit në Ibër-Lepenc”, tha ndër të tjera ajo.
Presidentja Osmani u pyet nga gazetarët edhe për bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Ajo tha se asaj, si presidente, nuk i takon të përshihet në çfarëdo angazhimesh për krijimin e koalicioneve, por të diskutojë me akterë politikë për arritjen e konsensusit, për të cilin tha se “nuk po duket në horizont”.
Osmani tha se ajo do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë për disa çështje. Ajo tha se zyra e saj është duke e përgatitur dosjen për ta dërguar në Kushtetuese, në qoftë se konstituimi i Kuvendit nuk bëhet brenda fatit 30 ditor të caktuar nga Kushtetuesja në aktgjykimin e saj.
(r.m.)