Prishtinë, 4 prill 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach.
Në njoftimin e Zyrës së Presidentes Osmani thuhet se në këtë takim është diskutuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për situatën e sigurisë në Kosovë, me theks pjesën veriore të vendit
Në njoftim vihet theksi te aplikimi i Kososovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Në temën e Këshillit të Evropës, Presidentja Osmani theksoi se anëtarësimi i Kosovës do të ishte triumf për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut, jo vetëm në Kosovë, por në mbarë Evropën. Tutje, Presidentja Osmani ritheksoi se përmes mekanizmave të ndryshëm që i ofron Këshilli do të mundësohej mbrojtja dhe garantimi i të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim”, thuhet në njoftim.
Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën, përfshirë mbështetjen në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Lordi Peach është pritur edhe te Kryeministri Albin Kurti.
Sipas njoftimit të kabinetit të Kurtit, njëra ndër temat kryesore ka qenë siguria në Kosovë dhe Kryeministri Kurti ka vënë theksin në nevojën e sigurisë së kufirit me Serbinë.
“Kryeministri theksoi rëndësinë e sigurisë së kufirit me Serbinë, prej nga edhe vjen agresioni ndaj Kosovës, siç edhe u dëshmua në shtatorin e vitit të kaluar”, thuhet në njoftim.
Edhe Kurti e ka falënderuar Lordin Stuart Peach “për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Republikës së Kosovës dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe rolin aktiv të saj në fushën e sigurisë”.
(r.m.)