Osmani në takim me Ruge: Kosova është e përkushtuar për anëtarësim në NATO

Nju Jork, 22 shtator 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar të hënën në Nju Jork me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, ambasadorin Boris Ruge.

Presidentja Osmani ka bërë të ditur se ajo ka shprehur përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO.

“Në New York pata kënaqësinë të takohem me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, ambasadorin Boris Ruge.

Gjatë takimit, ritheksova mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në vendin tonë, si dhe përkushtimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike”, ka shkruar ajo.

Presidentja Osmani gjendet në vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara. Kjo vizitë realizohet në kohën që në Nju Jork po mbahet seanca vjetore e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Gjatë vizitës ajo do të takohet me zyrtarë e përfaqësues diplomatikë të shumë vendeve të botës dhe të organizatave të ndryshme ndërkombëtare e rajonale.

Presidentja Osmani ka zhvilluar disa takime edhe me komunitetin shqiptar në Amerikë.

(r.m.)