Osmani në takim me Rutten: Kosova është partnere e besueshme e NATO-s

Kopenhagë, 2 tetor 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Mark Rutte, në Samitin e EPC në Danimarkë.

Presidentja Osmani, në një postim në rrjetet sociale, e ka cilësuar takimin me sekretarin Rutte si mundësi të shkëlqyer për të riafirmuar gatishmërinë e Kosovës për koordinim të rregullt me NATO-n në mbrojtje të paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe në  mbarë rajonin.

Ajo ka thënë se ka shprehur përkushtimin e Kosovës për të qenë partnere e besueshme në përballjen me sfidat e përbashkëta për sigurinë.

“Kënaqësi të takoja Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Mark Rutte, në Samitin e EPC në Danimarkë.

Ky takim ishte një mundësi e shkëlqyer për të riafirmuar gatishmërinë tonë për koordinim të rregullt në mbrojtje të paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor.

Theksova po ashtu rolin vendimtar të NATO-s në garantimin e stabilitetit rajonal, si dhe përkushtimin e Kosovës për të qenë partnere e besueshme në përballjen me sfidat e përbashkëta”, ka shkruar Osmani.

(r.m.)