Prishtinë, 15 maj 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar e liderët e partive më të mëdha politike në Kosovë, në takimin e sotëm konsultativ, kanë shprehur qëndrime të ndryshme lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit. Megjithatë, ajo ka thënë se te liderët ka parë por një “disponim minimal” për zgjidhjen e ngërçit, duke shfaqur shpresën se ai do të rritet me kalimin e kohës.
“Ekziston një disponim minimal, por jam e bindur se ai do të rritet me kalimin e kohës. Dialogu politik konstruktiv është i domosdoshëm”, ka thënë Osmani, pas takimit, në konferencë për media.
Ajo ka thënë se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, nëse procesi i konstituimit të Kuvendit zvarritet edhe më, por nuk ka dhënë një afat se kur mund të ndodh kjo.
“Nëse kjo zvarritet shumë, janë disa opsione. Një është që deputetët ta shfrytëzojnë të drejtën [e vetimit], mënyra tjetër është që unë, si presidente, t’i drejtohem Kushtetueses. Nëse do të kishte pajtim edhe nga ata, nuk kam problem ta dërgoj këtë çështje në Kushtetuese. Ne do presim nëse përpjekjet në vijim do të rezultojnë me marrëveshje politike, para se të procedojmë me diçka të tillë”, ka thënë ajo.
Presidentja Osmani se konsultimet me liderët e partive politike do të vazhdojnë edhe javën e ardhshme, me takime individuale ose në formate të tjera
“Nëse shihet e nevojshme, nga java tjetër do t’i takoj liderët e partive individualisht, për të vazhduar me formate të tjera, sipas nevojës”, ka thënë ajo.
Presidentja ka qartësuar se konsultimet aktuale të saj me liderë të partive politike kanë të bëjnë vetëm me procesin e konstituimit të Kuvendit.
“Këto nuk janë konsultime për krijimin e qeverisë së re. Diskutimet e sotme kanë qenë të fokusuar te çështja e konstituimit të kuvendit”, ka sqaruar ajo.
Osmani ka thënë se në takim me liderët politikë ka tërhequr vërejtjen për pasojat me të cilat mund të përballet vendi, në rast të zgjatjes së bllokadës së procesit të formimit të institucioneve të reja.
“Në takim kam përmendur disa prej pasojave me të cilat mund të ballafaqohet vendi ynë në mungesë të konstituimit të Kuvendit, Ato përfshijnë zvarritjen e panevojshme të procesit të disbursimit të mjeteve financiare nga Plani i Rritjes së BE-së, që janë afër 900 milionë euro. Dëmet tjera përfshijnë zvarritjen e proceseve që do çonin në anëtarësimin e Kosovës në organizata apo në iniciativa ndërkombëtare, në zvarritjen e procesit të miratimit të ligjeve, në dëmtimin e besimit të qytetarëve, në dëmtimi i imazhit të shtetit tonë në planin ndërkombëtar, etj”, është shprehur ajo.
Presidentja Osmani e ka përjashtuar opsionin e zgjedhjeve të reja parlamentare pa konstituimin e Kuvendit, Ajo ka thënë se partitë politike duhet të pajtohen se pari pqër konstituimin e Kuvendit e pastaj të pajtohen për shpalljen eventuale të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Deri tashti, asnjë parti politike nuk i ka parë zgjedhjet e jashtëzakonshme si zgjidhje për ngërçin politik të cilin e kanë prodhuar vetë, me qëndrimet e tyre. Liderët e tyre i kanë përmendur zgjedhjet e jashtëzakonshme vetëm si paralajmërim.
(r.m.)