Osmani nis konsultimet me liderët politikë për zhbllokimin e procesit për formimin e qeverisë së re

Prishtinë, 31 tetor 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur takimin konsultativ me liderët e partive politike.

Këshilltari për media i Presidentes Osmani, Bekim Kupina, ka thënë se presidentja do të bëjë thirrje për kompromis politik që do të çonte në zgjidhjen e ngërçit që ka shkaktuar bllokimin e procesit për formimin e qeverisë së re të vendit.

Të martë, Kupina ka thënë se Presidentja Osmani “do t’i inkurajojë” partitë politike të bashkëpunojnë për ta shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe në funksionimin e institucioneve të Kosovës.

Ai ka thënë se Presidentja pritet ta theksojë rëndësinë e miratimit të buxhetit të Kosovës si edhe miratimin e Planit të Rritjes së BE-së.

Takimi I Presidentes me liderët politikë është thirrur pasi mandatari i dekretuar prej saj për formimin e qeverisë së re, Albin Kurti, nuk arriti të sigurojë votat e shumicës në Kuvend.

Presidentja Osmani, bazuar në obligimet e saj kushtetuese, do të shqyrtojë mundësitë për zgjidhjen e ngërçit politik që ka shkaktuar bllokadë në procesin e formimit të qeverisë së re të vendit. Me shterimin e mundësisë për formimin e qeverisë nga forca më e madhe politike në Kuvend – Lëvizja Vetëvendosje – është hapur rrugë që qeveria të formohet nga partia apo partitë që mund të sigurojnë mbështetjen e së paku 61 deputetëve të Kuvendit 120 anëtarësh.

Në rast se asnjë forcë politike nuk mund të sigurojë shumicën për krijimin e qeverisë së re, Presidentja Osmani duhet të konstatojë se vendi nuk ka zgjidhje tjetër kushtetuese përveç shpërbërjes së Kuvendit dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme.

Bazuar në deklaratat e deritashme të liderëve, asnjë parti politike nuk mund ta sigurojë shumicën në Kuvend, prandaj zgjedhjet e parakohshme konsiderohen opsioni i vetëm për zgjidhjen e ngërçit institucional.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, para fillimit të takimit me Presidenten, ka thënë se takimi ka qëllim zgjidhjen e situatës së krijuar.

 “Do të përpiqemi të gjejmë zgjidhje dhe e falënderoj zonjën presidente për organizimin e këtij takimi”, ka thënë Kurti për mediat.

(r.m.)