Osmani nis konsultimet për datën e zgjedhjeve. LVV nuk merr pjesë në takim

Prishtinë, 6 mars 2026 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, menjëherë pas dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, ka nisur konsultimet me liderët e partive politike lidhur me datën e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Në takim morën pjesë: kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikud he kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Në takim nuk mori pjesë kryetari apo ndonjë përfaqësues tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo tha se dekretin e Presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit e konsideron si “akt kundërkushtetues”, prandaj do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet, zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen brenda 45 ditësh, por jo më herët se 30 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit.

Çka thanë liderët e tri partive opozitare?

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se beson që Presidentja Osmani, me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, ka vepruar në përputhje me përgjegjësitë dhe obligimet e saj kushtetuese. Megjithatë, ai tha se PDK-ja do të pranojë çdo vendim që do të nxjerrë për këtë çështje Gjykata Kushtetuese. 

 “Besoj që presidentja i ka analizuar mirë veprimet e veta dhe se ka vepruar në përputhje me përgjegjësitë dhe detyrimet e veta kushtetuese. Megjithatë vendimi i Kushtetueses është i pranueshëm për PDK-në”, tha Hamza.

Ai i akuzoi LVV-në për dështimin e përpjekjeve për zgjedhjen e presidentit të ri me marrëveshje politike.

“Shpreh keqardhje që kemi ardhur deri këtu. Nuk ka pasur asnjë arsye. Ka pasur më shumë se një alternative. Normalisht përgjegjësia i bie partisë fituese, partisë më të madhe, sepse ka mundur t’i japë vendit president”, u shpreh ai.

Sipas tij, PDK-ja ka qenë “mjaftueshëm konstruktive” dhe i ka bërë të gjitha përpjekjet që vendit t’ia japim president. Nuk kemi vendosur vija të kuqe ndaj asnjë subjekti”, tha Hamza.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se ende nuk është caktuar data e zgjedhjeve dhe theksoi se LDK-ja “është e gatshme” për zgjedhje, kurdo që do të mbahen.

“Jemi të gatshëm për zgjedhje, kurdo që Presidentja e vlerëson, në afatin e rregullt kushtetues brenda afatit të paraparë me Kushtetutë”, tha Abdixhiku. 

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e vlerësoi të drejtë dekretin e presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

“Ne e respektojmë dekretin, e respektojmë si të tillë. Presim edhe caktimin e datës së zgjedhjeve bazuar në afatet kushtetuese. Çdo datë në afate kushtetuese është e pranueshme për ne”, tha ai.

Haradinaj e kritikoi LVV-në që nuk mori pjesë në takiminkonsultativ me Presidenten dhe për dërgimin e dekretit të Presidentes në Gjykatën Kushtetuese.

“Është e pakuptimtë mospjesëmarrja e tyre [në takimin me presidenten]. Mosardhja e tyre sot është një lloj fyerjeje për vendin, për institucionet. Kryetarët e partive opozitare u janë përgjigjur thirrjeve të Kurtit për konsultime… Adresimi në Gjykatë Kushtetuese  është një fyerje më vete. Është tallje, hajgare, me proceset”, theksoi Haradinaj.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet, zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen brenda 45 ditësh, por jo më herët se 30 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit.

(r.m.)