Prishtinë, 29 gusht 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se të premten e ka dekretuar harmonizimin e listës së organizatave të huaja terroriste me urdhrat ekzekutivë të presidentit amerikan, Donald Trump.
Në një postim në platformën X ku e ka publikuar dekretin e nëshkruar prej saj, Presidentja Osmani ka thënë se ky vendim është marrë me qëllim të linjëzimit të plotë të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Kosovës me atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Historia e vërteton një të vërtetë të thjeshtë: kur Amerika udhëheq, ka më shumë paqe, më shumë siguri dhe më shumë liri në nivel global. Kosova do të qëndrojë gjithmonë përkrah SHBA-së për të çuar përpara këtë vizion dhe në ndjekjen e saj për të luftuar të gjithë ata që rrezikojnë sigurinë kombëtare të aleatit tonë më të rëndësishëm”, ka shkruar ajo
Postimi i plotë:
Republika e Kosovës qëndron përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën kundër krimit të organizuar transnacional dhe terrorizmit, narko-karteleve dhe regjimeve kriminale, sepse lidershipi amerikan e bën botën më të sigurt.
Sot e kam lëshuar një Dekret Presidencial me të cilin Kosova e harmonizon plotësisht listën e organizatave të huaja terroriste me Urdhrat Ekzekutiv të Presidentit Donald Trump të janarit 2025 që fusin në listën e organizatave të huaja terroriste një numër narko-kartelesh ndërkombëtare dhe organizatash tjera kriminale.
Historia e vërteton një të vërtetë të thjeshtë: kur Amerika udhëheq, ka më shumë paqe, më shumë siguri dhe më shumë liri në nivel global. Kosova do të qëndrojë gjithmonë përkrah SHBA-së për të çuar përpara këtë vizion dhe në ndjekjen e saj për të luftuar të gjithë ata që rrezikojnë sigurinë kombëtare të aleatit tonë më të rëndësishëm.
(r.m.)